27 Nëntor, 2021 - 2:40 pm
“Mos qëndroni viktimë e dhunës në familje për shkak se nuk keni ku të shkoni. Kërkojeni të drejtën tuaj në pronë!” – ky është slogani i fushatës ndërgjegjësuese për lidhjen ndërmjet të drejtave pronësore dhe dhunës në familje të mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Forumi për Lidership dhe Diplomaci, Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ministria e Drejtësisë.
Fushata ka nisur dje gjatë një ngjarje të organizuar nga EULEX-i dhe Forumi për Lidership dhe Diplomaci, ku mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu.
“Diskutimi i të drejtave pronësore në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore përçon mesazh të qartë se fuqizimi ekonomik dhe barazia gjinore janë parakushtet kryesore për krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë ndihen të sigurta, por edhe të fuqizuara. Diskutimet e tilla i shërbejnë qëllimit tonë të përbashkët final”, tha presidentja e Kosovës.
“Këto diskutime forcojnë më tutje përpjekjet tona për të luftuar dhunën ndaj vajzave dhe grave duke e bërë të qartë njëherë e mirë se nuk mund të tolerohet më që shkelja e të drejtës së trashëgimisë dhe të drejtës në pronë të shkaktojnë viktima të diskriminimit gjinor. Çështja e trashëgimisë nuk është vetëm çështje e izoluar, por prona është realisht instrument i fuqizimit dhe stabilitetit ekonomik mbi të gjitha”, tha presidentja e Kosovës.
Duke theksuar rëndësinë e barazisë gjinore, përfshirë edhe të drejtat pronësore, drejtoresha e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, Njomza Emini, tha: “Kjo fushatë synon fuqizimin e viktimave të dhunës në familje për të kërkuar të drejtën e tyre të pronës në mënyrë që të bëhen të pavarura financiarisht. Një pavarësi e tillë do t’i ndihmojë ato që të largohen nga marrëdhëniet abuzive.” Emini shtoi se mungesa e qasjes në të drejtat pronësore, si dhe të drejtat ekonomike në përgjithësi, po promovon një kulturë të cenueshmërisë, ku shumë gra mund të ndjehen se nuk kanë alternativë tjetër përveç qëndrimit në marrëdhënie abuzive dhe të dhunshme.
Shefi i EULEX-it tha se të drejtat e kufizuara ekonomike për gratë krijojnë terren të plleshëm për dhunën në familje dhe shtoi: “Ndarja nga një marrëdhënie e dhunshme mund të jetë mjaft e vështirë nëse nuk keni pronë, dhe asnjë alternativë për të kërkuar strehim e mbrojtje. Nëse nuk keni të ardhurat tuaja, madje mund të vendosni të toleroni të patolerueshmen dhe të qëndroni në marrëdhënie abuzive. Strehimoret dhe shtëpitë e tjera të përkohshme për viktimat e dhunës në familje ofrojnë mbrojtje dhe mbështetje të përkohshme. Ato janë të mirëseardhura dhe të nevojshme. Por strehimoret nuk janë zgjidhje e përhershme.”
Wigemark shtoi se viktimat e dhunës në familje kanë nevojë për mbështetje afatgjatë publike për t’u shkëputur nga qarku vicioz i të qenit të varura ekonomikisht dhe financiarisht nga abuzuesit e tyre. “Për të qenë më konkret, komunat këtu në Prishtinë dhe gjetkë në Kosovë duhet të sigurojnë banim publik të subvencionuar për viktimat e dhunës në familje, të cilat nuk kanë pronë të vetën. Kjo është detyrë për kryetarët e komunave të zgjedhur rishtazi, ku shumica dërrmuese janë burra”, tha Wigemark.
Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe legjislacionit përkatës, të gjithë qytetarët gëzojnë të drejta të barabarta pronësore. Megjithatë, të dhënat tregojnë se vetëm 17% e grave në Kosovë posedojnë pronë, ndërsa vetëm 7% e grave trashëgojnë pronë.
Përveç kësaj, shumë gra të Kosovës çdo vit heqin dorë nga e drejta e tyre për të trashëguar pronën dhe pabarazia tashmë ekzistuese e pronësisë mbi pronën rëndohet edhe më tej. / KultPlus.com