7 Nëntor, 2024 - 9:31 pm
Edicioni VII i Euro Balkan Film Festival që po zhvillohet në Romë deri më 12 nëntor ndërmjet ”Casa del Cinema”, MAXXI dhe ”Nuovo Cinema Aquila” i kushtohet jo vetëm festimit të kinemasë ballkanike, por edhe promovimit të bashkëpunimit midis produksionit italian dhe atij ballkanik.
Ky edicion i bën homazh shkrimtarit më të madh shqiptar Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë, me dhënien, pas vdekjes, të Çmimit të Karrierës për Bashkëpunimin Kulturor Italo-Ballkanik dhe për kontributin e dhënë në zhvillimin e marrëdhënieve kulturore midis Italisë, Ballkanit dhe kulturës evropiane.
Çmimi, i dorëzuar nga presidenti i shoqatës ”Occhio Blu”, organizator i festivalit, ambasadori Mario Bova, do të merret nga Helena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit.
Më pas do të shfaqet filmi i Luciano Tovolit ”Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1983), bazuar në romanin me të njëjtin emër.
Në homazh për të, shfaqjes do t’i paraprihet një panel i thelluar në profilin e shkrimtarit, ku do të flasin Francesco Altimari, studiues dhe profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Kalabrisë, Matteo Mandalà, profesor ordinar i Letërsisë Shqipe në Universitetin e Palermos, Diana Çuli dhe Luciano Tovoli.
Ndërkohë, do të ketë 10 filma në konkurrim nga regjisorë të rinj që prezantojnë gjuhë të reja kinematografike.
Ndër zërat domethënës dhe për rrjedhojë më të rrallë, ai i Kumjana Novakovës, regjisores maqedonase, e cila do të prezantojë dokumentarin e saj ”Heshtja e arsyes”, me realitetin jashtëzakonisht të dhunshëm të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë midis viteve 1992-95, veçanërisht në fshatin boshnjak Foça, i ashtuquajturi “kampi i përdhunimit”.
Filmat jashtë gare do të ofrojnë një dialog midis historisë ballkanike dhe asaj italiane duke prekur tema të tilla si luftërat ballkanike dhe kujtesa historike./atsh/KultPlus.com