18 Qershor, 2024 - 10:38 pm
Kualifikimi i dytë i Shqipërisë në EURO2024 u arrit pas paraqitjeve mbresëlënëse të ekipit kombëtar në stadiumin e tyre të ri ”Air Albania”’, shkruan UEFA në një shkrim special kushtuar futbollit në Shqipëri.
”I hapur në vitin 2019, ambienti më modern jo vetëm që ka transformuar të ardhurat e kuqezinjve, por i ka dhënë frymë edhe qendrës së Tiranës.
Shqipëria u kualifikua në EURO2024 me stil, duke fituar grupin e saj kualifikues në formën mbresëlënëse në shtëpi, me tre fitore dhe një barazim, me shtatë gola të shënuar dhe asnjë të pësuar.
Ata e bënë këtë në stadiumin ”Air Albania” në Tiranë, i cili u hap në vitin 2019.
Stadiumi është kthyer shpejt në një kështjellë të frikshme futbolli, duke e shtyrë kombëtaren e Shqipërisë drejt paraqitjes së saj të dytë në EURO2024.
Lojtari i 12-të i Shqipërisë
“Ka gjithçka që i duhet një skuadre për të performuar në fushë”, thotë kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimsiti, duke shpjeguar se si vendi u ka dhënë lojtarëve një avantazh të shtuar.
“Infrastruktura është më e mirë, duke e bërë shumë më të lehtë për ne dhe për tifozët të shpërndajnë energjinë dhe mbështetjen e tyre. Është sikur kemi një lojtar të 12-të që na motivon dhe na shtyn përpara. Ka luajtur një rol të madh në rrugëtimin tonë”, shton ai.
Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, është dakord, duke shtuar se “ambientet moderne dhe mjedisi profesional kanë rritur ndjeshëm moralin dhe performancën e lojtarëve. Ambientet e nivelit të lartë stërvitor të stadiumit kanë lejuar përgatitje dhe rikuperim më efektiv, ndërsa mbështetja pasionante në shtëpi ka krijuar një atmosferë frikësuese për ekipet vizitore, duke u ofruar lojtarëve tanë një avantazh psikologjik”.
Më shumë se një terren sportiv
Por, stadiumi që bie në sy, i vendosur në zemër të Tiranës, është shumë më tepër se një terren sportiv. Është një simbol i planit strategjik të FSHF-së për zhvillimin e infrastrukturës kombëtare të futbollit dhe një katalizator për rigjallërimin e ekonomisë vendase.
“Ndërtimi i stadiumit ishte një hap vizionar që synonte transformimin e peizazhit të futbollit shqiptar”, shpjegon Duka.
“Është gjithashtu një pjesë kyçe e strukturës kulturore dhe sociale të qytetit, e rëndësishme në rigjallërimin e komunitetit lokal në Tiranë”, shton ai.
Përfitime për komunitetin e gjerë të futbollit
Ndikimin e kanë ndjerë edhe fansat. Kapaciteti prej 22 500 vendësh i stadiumit është një përmirësim i rëndësishëm i stadiumit 60-vjeçar ”Qemal Stafa”, të cilin ai e zëvendësoi.
Ambientet e reja kanë përmirësuar edhe përvojën e ditës së ndeshjes, sipas Ardit Saliajt nga grupi i tifozëve shqiptarë ”Tifozat Kuq e Zi”.
“Kushtet në stadiumin e ri janë krejtësisht të ndryshme në krahasim me atë të vjetër”, thotë ai.
“Puna arkitekturore kombinohet në mënyrë perfekte me aktivitetet e tifozëve, duke e bërë atmosferën edhe më të mrekullueshme. Momentet që po kalojmë në këtë ndërtesë moderne na kanë sjellë shumë gëzim. Kualifikimi në EURO2024 është një ëndërr që shqiptarët nuk mund ta realizojnë shpesh”, shton ai.
Stadiumi gjithashtu pati nderin të presë finalen inauguruese të UEFA Europa Conference League në 2022, duke u dhënë mijëra njerëzve mundësinë të përjetojnë një finale të madhe të futbollit evropian në vendin e tyre për herë të parë.
Qindra të tjerë u përfshinë si vullnetarë, duke hedhur themelet për krijimin e një programi vullnetar të futbollit të FSFH.
“Një frymëzim për futbollistët”
Cilatdo qofshin rezultatet e Shqipërisë në EURO2024, ajo është pjesë e një rrugëtimi më të gjatë. Rritja e të ardhurave nga biletat e ofruar nga stadiumi ”Air Albania”, i cili u mbush me kapacitet gjatë gjithë fushatës triumfuese kualifikuese, ka hapur një cikël investimesh për FSHF-në.
“Suksesi i kombëtares sonë, i mishëruar nga arritjet e tyre në stadiumin Air Albania, shërben si një frymëzim i fuqishëm për futbollistët aspirantë në të gjithë vendin”, thotë Duka.
“Ne kemi nisur iniciativa të shumta për të përfituar nga ky moment, duke përfshirë programet bazë, partneritetet e shkollave dhe akademitë e të rinjve. Duke krijuar shtigje dhe mundësi të arritshme, ne synojmë të nxisim një brez të ri entuziastësh dhe sportistësh të futbollit”, shton ai./ atsh/ KultPlus.com