Eurostat: Djemtë nga Ballkani braktisin shtëpinë e prindërve në moshën 35-vjeçare

14 Gusht, 2020 - 11:41 pm

Një studim i realizuar nga Zyra Evropiane e Statistikave, Eurostat, tregon se djemtë nga Ballkani qëndrojnë në “hotel mama” mesatarisht 35 vjet para se të shpërngulen në shtëpitë e tyre, transmeton KultPlus.

Djemtë nga Maqedonia e Veriut dhe nga Mali i Zi janë më të llastuarit  në Evropë. Ata janë mbi 35 vjeç kur largohen nga “Hotel Mama”, shkruan srf.ch.

Suedezët dhe luksemburgasit ndërkaq braktisin shtëpitë e prindërve në moshën 18, respektivisht 20-vjeçare dhe kështu llogariten si më të hershmit e kësa kategorie. Zviceranët ikin nga shtëpia prindërore në moshën rreth 24-vjeçare.

Ndërkaq, ata që njihen si “Mamminos” klasikë, italianët dhe grekët, nga ana tjetër, janë viktima të një paragjykimi: ata zënë vetëm vendin e 7-të, gjegjësisht të 11-të në listën e “braktisësve” të vonë, të përpiluar nga Eurostat. Kështu ishte edhe 10 vjet më parë.

Në vitin 2019, maqedonasit e veriut dhe malazezët ishin në epërsi, të ndjekur nga serbët, kroatët, bullgarët dhe sllovakët. Nga ana tjetër, djemtë në shtetet veriore të Evropës pavarësohen më herët: përveç suedezëve dhe luksemburgasve, danezët, finlandezët dhe estonezët gjithashtu lëvizin në shtëpitë e tyre mesatarisht para ditëlindjes së 23-të.

Në Danimarkë dhe Suedi, vetëm 4 përkatësisht 5.7 për qind të djemve të moshës 25 deri 34 vjeç ende jetojnë me prindërit e tyre, përcjell albinfo.ch. E kundërt është gjendja gjetiu: Më shumë se gjysma e meshkujve të këtyre moshave jetojnë ende tek prindërit në Kroaci (62 për qind), Greqi (57.8) dhe Sllovaki (56.4).

Djemtë qëndrojnë në shtëpinë e prindërve më gjatë se vajzat

Rreth 18 për qind e zviceranëve dhe gjermanëve nuk janë ende në gjendje të pavarësohen  deri në moshën 25-34 vjeçe. Mesatarja evropiane është 30 për qind.

Djemtë qëndrojnë më gjatë në “hotel Mama” sesa vajzat praktikisht kudo në Evropë – përveç në Luksemburg, ku gratë e reja lëvizin 0.3 vjet më vonë se vëllezërit e tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme