Eurovision 2022, Ukraina në qendër të vëmendjes me ”Stefania”

14 Maj, 2022 - 3:35 pm

Njëzet e pesë vende konkurrojnë sonte në finalen e madhe të Festivalit të Këngës, Eurovision, ekstravaganca e përvitshme muzikore, që këtë vit zhvillohet në Itali.

Ukraina është në qendër të vëmendjes me këngën “Stefania”, një përzierje energjike e tingujve tradicionalë folklorikë dhe hip-hopit nga grupi ”Kalush Orchestra”, gjashtë anëtarët e të cilit kalojnë nëpër skenë me kostume tradicionale.

Oleg Psyuk fillimisht shkroi këngën për nënën e tij.

Por, duke pasur parasysh luftën që po zhvillohet në Ukrainë, tani shihet se bëhet fjalë për Ukrainën si një atdhe që duhet mbrojtur.

“Unë gjithmonë do ta gjej rrugën time për në shtëpi, edhe nëse të gjitha rrugët janë të shkatërruara”, thuhet në tekst.

Kënga ka qenë prej javësh e preferuara mes parashikuesve të fituesve.

Grupi njoftoi në rrjetet sociale se do të nxjerrë në ankand trofeun e fituesit për bamirësi nëse fiton.

Konkursi katërorësh supozohet të jetë i gjithi rreth muzikës, por Eurovision-i i këtij viti ka ngjyrime politike më të forta se zakonisht për shkak të pushtimit të Rusisë.

Rusia është përjashtuar nga konkursi i këtij viti, ashtu si edhe aleatja e saj e ngushtë, Bjellorusia.

Përveç Ukrainës, edhe Suedia (Cornelia Jakobs me “Hold Me Closer”), Italia (Mahmood dhe Blanco me “Brividi”) dhe Spanja (Chanel me “SloMo”) gjithashtu pritet të jenë në vendet e sipërme të renditjes përfundimtare./ KultPlus.com

Të ngjajshme