12 Qershor, 2024 - 12:18 pm
Sopranoja e mirënjohur e TKOB-së, Eva Golemi, dhe baritoni shqiptar i njohur ndërkombëtarisht, Gëzim Myshketa, së bashku me Orkestrën Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, do të debutojnë në skenën e Teatrit “Giuseppe Verdi” në Salerno, të Italisë. Kjo ngjarje artistike do të zhvillohet më 21 qershor.
Ky koncert vjen si një homazh në Festivalin e Muzikës 2024, në nderim të kompozitorit Giacomo Puccini, me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së tij.
Teatri “Giuseppe Verdi” i Salernos është një teatër me strukturë druri i 1800-ës, me katër sektorë në plate dhe një galeri.
Teatri në historinë e tij, ka pësuar herë pas here dëme të mëdha, por tërmeti i 1980-ës, e bëri të papërdorshëm për rreth 14 vjet.
Prej vitit 2007 teatri “Verdi” i Salerno-s është vendosur në skenën kombëtare të operës si një teatër ekselence, me një program të përzgjedhur të karakterizuar nga prania e artistëve me famë botërore, duke e vendosur veten, pavarësisht nga përmasat e tij të vogla, në të njëjtin nivel me teatrot e mëdhenj kombëtarë, si Opera e Romës, “San Carlo” i Napolit apo “La Scala” e Milanos.
Në teatrin Verdi kanë punuar artistë si Marcelo Álvarez, Renato Bruson, Orkestra Mbretërore Filarmonike, Nikolaj Lugansky, Wiener Kammerensemble, Alexei Volodin, Martina Serafin, Orkestra Simfonike Sapporo./atsh/KultPlus.com