12 Nëntor, 2021 - 3:00 pm
Qeveria e Holandës planifikon të prezantojë një bllokim të pjesshëm tre-javor për të shuar një valë të katërt të infeksioneve Covid në mes të një rritje të numrit të rasteve, njoftoi transmetuesi publik NOS të premten, përcjellë KultPlus.
Holanda regjistroi 16,364 raste të enjten, gjë që ka alarmuar Qeverinë holandeze, e cila veçse ka filluar ta hartojë planin për evitimin e një vale të katërt të virusit COVID-19.
Kjo shifër, një nivel i paparë që nga fillimi i pandemisë, ishte një rritje prej 33 për qind krahasuar me rastet e reja të regjistruara një javë më parë.
Duke filluar nga e shtuna, restorantet, baret dhe kafenetë në vend do të duhet të mbyllen në orën 19:00. Ngjarjet sportive do të zhvillohen pa spektatorë. Banorët nuk do të lejohen të ftojnë më shumë se katër mysafirë në shtëpitë e tyre.
Dhe rregullat e distancimit social do të rivendosen, megjithëse dyqanet që shesin gjërat elementare do të mbeten të hapura.
Kryeministri Mark Rutte dhe Hugo de Jonge, ministri i shëndetësisë, pritet të shpallin masat të premten në mbrëmje.
Rreth 76 për qind e popullsisë së vendit është plotësisht e vaksinuar kundër koronavirusit, sipas Our World in Data./KultPlus.com