5 Shtator, 2020 - 11:27 pm
Ekspertë dhe hartues të projektit për ndërtimin e pellgut të Ujmanit, thotë se liqeni i takon Kosovës.
Inxhineri Avdi Gjonbalaj, ka filluar angazhimin e tij në projektin për ndërtimin e pendës së Liqenit të Ujmanit që nga viti 1968.
Sot e kësaj dite, Gjonbalaj posedon dokumentet e nevojshme për kontratën e quajtur YU77, e lidhur mes Bankës Botërore për Zhvillim dhe Rindërtim dhe Ndërmarrjes “Ibër- Lepenc”.
Ligji për themelimin e kësaj ndërmarrje është për ndërtim dhe shfrytëzim të hidro sistemit “Ibër-Lepenc” e cila është ratifikuar nga Kuvendi i Jugosllavisë dhe Kuvendi i Kosovës.
Në lidhje me pronësinë e këtij liqeni, ai thotë se nuk duhet të ketë asnjë lloj diskutimi.
Ish punëtori i Ibër Lepencit, saktëson se Serbia ka në shfrytëzim pjesën lart të Liqenit që i mjafton për nevojat e veta.
Liqeni i Ujmanit, që burimin e ka në Mal të Zi, gjendet në Komunën e Zubin Potokut, dhe i njëjti është në kufirin Kosovë-Serbi.
Ani pse, shumica dërmuese e hapësirës së këtij liqeni ndodhet në Kosovë, Serbia ka kërkuar disa herë të diskutohet shfrytëzimi i këtij resursi.
Shfrytëzimi i ujit të Ujmanit është përfshirë edhe në marrëveshjen e 4 shtatorit të nënshkruar në Uashington.
Por, profesori i Gjeografisë Ekonomike, Fitim Humolli, thotë se është e paqartë për çfarë shfrytëzimi apo menaxhimi të përbashkët mes Kosovës e Serbisë të Ujmanit.
Ligjëruesi i turizmit, thotë as me të drejtën ndërkombëtare nuk mund të pengohet rrjedha e këtij Liqeni, e me të cilin furnizohet me ujë gati gjysma e komunave të Kosovës.
Përveç për pije, uji i Liqenit të Ujmanit përdoret nga Kosova për qëllime industriale, energjetike, si dhe për ujitje të tokave bujqësore. Gazeta Blic / KultPlus.com