9 Mars, 2021 - 10:00 am
Anëtarë të lartë të familjes mbretërore britanike po zhvillojnë takime urgjente të krizave pas akuzave të rënda të Dukës Harry dhe Dukeshës Meghan në një intervistë televizive.
Princi Harry dhe bashkëshortja e tij ,Meghan, në këtë intervistë folën për racizmin, shëndetin mendor, mediet dhe anëtarët tjerë të familjes mbretërore, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Meghan, anëtarja e parë me racë të përzier në familjen mbretërore moderne, tha se pika e ulët në raport me anëtarët tjerë u arrit kur Harry u pyet nga një familjar se sa e errët mund të jetë ngjyra e lëkurës së djalit të tyre, Archie.
Princi Harry më vonë i ka thënë moderatores së intervistës se kjo pyetje nuk është bërë nga Mbretëresha Elizabetë apo nga Duka i Edinburgut.
Në intervistë, dukesha thotë se jeta mbretërore i dukej aq e vështirë, saqë nuk donte të ishte më gjallë dhe kur kërkoi ndihmë, nuk iu ofrua.
Shefi i opozitës britanike, Sir Keir Starmer, tha se akuzat e dukeshës rreth racizmit dhe mungesës së përkrahjes për shëndetin mendor do të duhej të merreshin shumë seriozisht.
Ndërkohë kryeministri britanik, Boris Johnson, të hënën refuzoi që të komentonte për këtë çështje, por tha se gjithmonë e ka vlerësimin më të lartë për mbretëreshën dhe për rolin unifikues që ajo e luan.
I pyetur se a beson që familja mbretërore është raciste, ai tha: “Kur bëhet fjalë për familjen mbretërore, gjëja e duhur për kryeministrat është që të mos thonë asgjë.” / KultPlus.com