12 Gusht, 2020 - 5:28 pm
Në një bashkëbisedim me z.Bahri Misini (72 vjeç) i lindur dhe rritur në Mitrovicë na e rrëfen historikun e veprimtasisë së familjes Misini. Ai e kumton udhëtimin e një trashëgimie të zanatit familjar që për katër gjenerata zhvilluan veprimtari hotelierike e gastronomie në Mitrovicë.
Familja Misini ka prejardhjen nga fshati Rugovë, më saktësisht nga rrethi i Pejës, por në Mitrovicë jetojnë dhe veprojnë për afro 200 vite. Sipas z. Misinit, me këtë veprimtari ka filluar të merret katragjyshi i tij z. Ali Misini, që u pasua nga djali i tij z. Ahmet Misini (i lindur në vitin 1885), pastaj i biri i tij, z. Muharrem Misini (i lindur në vitin 1912), i cili gjatë periudhës së Dytë Botërore në qendër të Mitrovicës hapi “Kafe Albania”.
Shih fotografinë poshtë, të shkrepur pranë Kafe Albania realizuar më 04.10.1943 në Mitrovicë, në ditën e martesës së z. Muharem Misini. Në foto i dyti djathtas z.Muharem Misini në ditën e tij të martesës, pranë tij djathtas Xhavit Mitrovica. Lokacioni i lokalit është ku ndodhet rrokaqielli në qendër të sheshit Mehë Uka. Ky lokal e vazhdoj veprimtarinë e vet deri në vitin 1956, kur edhe mbyllet nga regjimi i kohës, pastaj familja detyrohet të shpërngulet në qytetin e Shkupit. Babai i Bahriut, z. Muharem Misini hap një lokal/restaurant në Teatrin Shqiptar të Shkupit, ku dhe veprojnë deri në vitin 1963, mbasi që termeti e godet rëndë qytetin e Shkupit.
Edhe njëherë familja e z.Muharem Misinit rikthehen në Mitrovicë. Në fillimet e para të viteve të 70-ta z. Bahri Misini punësohet në po të njejtën veprimtari. Ai ka vepruar në një mori hotelesh të Ndërmarrjes Hotelierike Ibër, e cila në vitin 1973 i bashkohet Ushqimit Shoqëror që njihet si Ndërmarja Turistike Hoteliere Trepça. Pjesë e Ndërmarrjes Hoteliere Trepça ishin edhe Hotel Jadrani, Hotel Pallasi, e Hotel Adriatiku, Hotel Nr. 3, Moteli Mimoza etj.
Z. Misini ka vepruar deri në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar në këtë veprimtari si zëvendës Drejtor Komercial. Deri kur masat e dhunshme të Millosheviqit e larguan nga puna, ani pse ai ka ngelur Drejtor Legjitim i Adriatikut deri pas luftës, ku dhe vazhdoi këtë profesion deri kur ky objekt është privatizuar.
Sot, si një pensionist ndjehet krenar për punën familjare që e zhvilluan gjeneratë pas gjenerate në qytetin e Mitrovicës, nëpër sisteme të ndryshme e periudha të ndryshme historike që kaloj vendi ynë. Ai shton se i ka ngelur një amanet i paplotësuar nga babai “që lokalit ku kishte zhvilluar veprimtarin familja e tij, t’i kthehet emri Kafe Albania, amanet që shpreson ta plotësoj”
Duhet shtuar se sot kjo familje vazhdon traditën shekullore të saj në qytetin e Mitrovicës dhe gjetiu. Sot, familjarë të afërm të z. Bahriut, nën brendin “Kompania Missini” janë të njohur në gjithë Kosovën për prodhimet e shërbimet e tyre në gastronomi.
©️Shkrim nga stafi profesional i Muzeut të Mitrovicës. /KultPlus.com