15 Prill, 2021 - 3:45 pm
Rebeka Qena, vajza e Muharrem Qenës, shkrimtarit, këngëtarit, aktorit dhe regjisorit shqiptar, ka reaguar sot përmes një statusi në Facebook për akuzat që familja Qirezi i ka ngritur kundrejt familjes Qena, shkruan KultPlus.
Sipas Rebekes, familja Qirezi ka kohë që akuzon familjen Qena për gjoja përvetësim të “Ervehesë”, e kjo akuzë mbetet e paqartë dhe njëkohësisht shqetësuese për familjen Qena.
Rebeka ka potencuar që familja Qena ka mjaftueshëm krijime, punë të ndershme dhe respekt dhe një akuzë e tillë është e pahijshme dhe tentim njollosjeje.
KultPlus ju sjell reagimin e plotë të Rebeka Qenës:
Muharrem Qena është kantautor i pesë këngëve: “Oj Hanë”; “Kaçurrelja”; “Tetori”; “Mine”, “Shokut”.
Këngët tjera që mund ti keni dëgjuar e ju ndërlidhin me emrin e tij janë këngë të cilat ai i interpreton.
Muharrem Qena është autor i një drame, “Bashkëshortët”. Muharrem Qena ka luajtur në më se 50 role në Teatër e Film. Muharrem Qena ka bërë regjinë e më se 200 shfaqjeve. Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe këngës argëtuese. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar dhe skenarist.
Familja Qirezi ka kohë që akuzon familjen Qena për gjoja përvetësim të “Ervehesë.”
Synimi i tyre, për ne, vazhdon të mbetet sa i paqartë aq edhe shqetësues. Aq më shumë kur vjen e turbullon kujtimin e miqësisë së tyre të gjatë.
Familja Qena ka mjaftueshëm krijime, punë të ndershme dhe respekt dhe një akuzë e tillë është e pahijshme dhe tentim njollosjeje.
Erveheja, si vepër është shkruar në vitin 1820 nga Muhamet Kyçyku, në trajtën e poemës së gjatë. Më vonë Ahmet Qirezi (1932) e dramatizon këtë vepër dhe ajo inskenohet në Teatrin e Kosovës.
Muharrem Qena ka bërë regjinë e kësaj shfaqjeje dhe nuk e ka shkruar “Ervehenë”. Këtë askush prej nesh as që e mendon e as që e dëshiron.
E vërteta është se regjia e Muharremit ka bërë që potenca e këtij teksti të vijë në shprehje, pa ndarë këtu as aktrimin, skenografinë, ndriçimin e muzikën. Dhe, këtë nuk e themi ne, e thotë kritika e asaj kohe, e edhe e sotmja që e ka ende referencë për standardin e vendosur një gjysmë shekulli më parë.
E vërteta është se kur flitet për “Ervehenë” e Muharremit, njerëzit në radhë të parë i referohen regjisë së shfaqjes dhe jo gjithherë vetëm tekstit. Se a do të kujtojë dikush një shfaqje falë aktorit, regjisë, muzikës apo tekstit – ne këtu nuk kemi ndikim.
Pa legjendën arabe nuk do të ishte inspiruar Muhamed Kyçyku. Pa poemë te Kyçykut nuk do të kishte dramë të Qirezit. Pa Qirezin nuk do të kishte Ervehe. Pa Muharrem Qenën, atëbotë, nuk do të kishte shfaqje mbamendëse.
Muharrem Qenës edhe po t’ja heqësh “Ervehenë”, mbetet po ai i njëjti: trasues i shtigjeve të reja në Teatër, dramaturgji e muzikë. Këtë s’mund t’ia zbehë askush. Muharrem Qena nuk zbehet. / KultPlus.com