19 Tetor, 2019 - 7:00 pm
Shqiptarët i kanë dhënë shumë kryeministra dhe gjeneralë të shquar Perandorisë Otomane vetëm familja Qyprili i dha 6 kryeministra Perandorisë.
Në fejtonin për vezirët shqiptarë që kanë shërbyer në Perandorinë Osmane, një vend me rëndësi zë familja e njohur e Roshnikut të Beratit, e njohur si familja e Qyprillinjve.
Fejtoni për vezirët kokëprerë me origjinë shqiptare të kohës së Perandorisë Osmane ka të bëjë kryesisht me vezirët, të cilëve u është prerë koka, ndërsa vezirët nga kjo familje, nuk pësuan fatin e bashkëvendësve të tyre.
Ky shkrim i autorit Abedin Kaja ka për qëllim prezantimin e biografive të pesë vezirëve ndër më të mëdhenjtë e më të njohurit të Perandorisë Osmane, i shkruar me rastin e botimit të librit: “Dinastia e Qyprillinjve në Perandorinë Osmane” .
Dinastia e Qyprillinjve fillon me kryevezirin (kryeministër) e Perandorisë Osmane:
1. Qyprilli Mehmet Pasha në vitet 1656-1661,
2 Qyprilli Fazil Ahmet Pasha (1661-1676),
3. Qyprilli Kara Mustafa Pasha (1676-1683),
4. Qyprilli Fazil Mustafa Pasha (1689-1691),
5. Qyprilli Hysen Pasha (1698-1702),
6. Qyprilli Numan Pasha (1710, dy muaj e tre ditë) dhe përfundon me
Fuad Qyprilli zëvendës-kryeministër, ministër Shteti dhe ministër i Jashtëm i Turqisë moderne.
Ndër të parët e kësaj familje me rol të rëndësishëm qeverisës është Qyprilli Mehmet Pasha (1656-1661). Veziri i madh, përuroi një periudhë qëndrueshmërie të qeverisjes, e cila u shoqërua me rivendosjen e prestigjit të Perandorisë Osmane në të gjitha fushat.
Fazil Qyprilli Pasha njihet si mbrojtës i njërës prej figurave të njohura hebraike, Zabata Zevi, që në vitin 1666 e shpalli veten si Mesia i Ri. Dallohej më tepër edhe me dituri, bujari, urtësi, maturi. Ka lënë shumë pasuri të vlefshme (hajrate), si në Stamboll, ashtu edhe në Qyprilli.
Qyprilli Fazil Mustafa Pasha, ai ishte djali i Vezirit të parë Mehmet Qyprili dhe shërbeu 2 vjet e 3 muaj. Ishte djali i dytë i Mehmet Pashës dhe vëllai i Ahmet Mustafa Pashës.
Dr. Prof. Fuad Qyprilli, drejtues i Turqisë moderne. Fuad Qyprilli ishte njëri ndër të mëdhenjtë e familjes së famshme të Qyprillinjve. Mori edukim të zgjedhur.
U tërhoq pas kulturës perëndimore, letërsisë otomane dhe asaj evropiane. Fliste disa gjuhë: turqisht, frëngjisht, greqisht, persisht dhe arabisht. Fuad Qyprilli ka qenë mik i Mustafa Qemalit (Ataturku).
Në fakt, kush më pak e kush më shumë, të gjithë Qyprillinjtë kanë hyrë në historinë e Perandorisë Otomane si ndërtues të mëdhenj. Ata kanë ndërtuar në fshatin e tyre dhe fshatrat përreth një xhami, ura, banja, një mulli të madh bloje çezma etj.
Për shkak të zhvillimit ekonomik e kulturor, në kohën e tyre Roshniku kishte hyrë në zonë e zhvilluar dhe quhej kaza (qytezë).
Për t’u përmendur janë edhe ndërtimet e pamundura civile në mbarë perandorinë, si xhamitë, vakëfet, shkollat (këto të fundit, sidomos në kohën e Ahmet Fadil Qyprilliut), tregjet, etj, shumë nga të cilat mbajnë ende emrin e Qyprillinjve.
Që me ngjitjen e Ahmet Pashës në kreun e ekzekutivit, familja e Qyprillinjve u vendos në Kostandinopojë, në shtëpinë (pallatin) e Qyprillinjve, që gjendet pikërisht në buzë të Bosforit.
Pranë pallatit, që ekziston dhe sot e kësaj dite, gjendet edhe biblioteka e Qyprillinjve, e cila mbetet akoma një ndër bibliotekat më të famshme të Stambollit. /KultPlus.com