12 Gusht, 2021 - 10:01 pm
Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës i ka bërë thirrje Bashkisë së Korçës që ta anulojnë pjesëmarrjen e këngëtarit serb Goran Bregoviq në festivalin e organizuar nga ta.
Ata thonë se e kuptojnë artin, por që edhe duhet kuptuar dhimbja e tyre që ua shkaktoi Serbia gjatë luftës së fundit.
“E dimë që arti është përtej kufijve por e tillë duhet të jetë edhe dhimbja jonë dhe nëse ju nuk mund t’i bashkëngjitni kauzës sanë për të të ditur të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve tanë si një e drejtë elementare, të paktën respektoni dhimbjen tonë”, thuhet në kërkesë.
“Mos na lëndoni më shumë duke lejuar pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit ose të ndonjë artisti tjetër serb, që për këto 22 vite bënë përpjekje të vazhdueshme të mohojnë krimet gjenocidiale, duke mohuar dhe mosnjohur të vërtetën tonë të dhimbshme, e mos të flasim për kërkimfalje e keqardhje dhe presionin që do të duhej të bënin si artistë në institucionet e Serbisë që të na kthejnë familjarët tanë të rrëmbyer dhe zhdukur dhunshëm”.
“E dimë që kërkesat tona të vazhdueshme për shumëkë mund të jenë të pakuptueshme, por shpresojmë që jo edhe për ju dhe korçaret që na ndihmuat aq shumë në vitet e tmerrit të luftës dhe në vazhdimësi gjatë këtyre 22 viteve, që për ne janë shekuj. Nëse koha gdhend gurin, ajo shkatërron njeriun. Vitet kalojnë, plakja si proces, nuk e shuan dhimbjen dhe kujtimin për ata që mungojnë”.
Ata thonë se janë kategoria më e goditur nga krimet serbe, duke përmendur numrin e personave të zhdukur që mungojnë nga lufta.
“Edhe sot 22 vite pas lufte, ne dhe gjithë Kosovës na mungojnë edhe 1632 familjarë, na mungojnë më të dashurit tanë. E kaluara jonë ndonëse nuk është e largët, ajo vazhdon të jetë shumë e rëndë për ne”.
“Dhunimi në kohë terrori është më lehtë i pranueshëm, sesa kur ndodhë në kohë lirie. Sot, familjet e personave të zhdukur, dhunohen në baza ditore, përkitazi me humbjen e cila iu është shkaktuar. Andaj ju lutemi mos lëndoni më shumë këto familje dhe ju kërkojmë të anuloni pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit dhe çdo këngëtari e artisti serb, që frymëzoi kryerjen e krimeve mbi popullatën shqiptare”. / KultPlus.com