Fan Noli, një nga figurat qendrore të kombit shqiptar

6 Janar, 2025 - 11:00 am

Më 6 janar 1882 lindi një nga figurat më të rëndësishme të kombit, Fan Stilian Noli. Themeluesi i Kishës Autoqefale Shqiptare ka qenë përkthyes, politikan, diplomat, poet, dramaturg, muzikant e historian.

Theofan Stilian Noli ishte i dyti nga trembëdhjetë fëmijët e Stilian dhe Maria Nolit, prej të cilëve vetëm gjashtë patën fatin të arrinin moshën e pjekurisë. Prindërit e tij ishin blegtorë shqiptarë. Familja jetonte në Ibrik-Tepe, një vendbanim shqiptar në Turqinë evropiane.

Rrugëtimi i tij jetësor iu kushtua në mënyrë të konsiderueshme veprimtarive të lidhura me çështjen kombëtare. Megjithatë, Noli u angazhua gjallërisht edhe në lëmet e krijimtarisë letrare dhe të përkthimit. Jeta parlamentare e Nolit nisi me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921, kur mori detyrën si deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921-30 shtator 1923). Në vijim ai shërbeu për pak kohë si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit. Ishte kryetar i Partisë Popullore.

Noli qe figura kryesore e Lëvizjes së Qershorit 1924. Pas Triumfit të Legalitetit, u dënua me vdekje në mungesë. Sipas vetë Nolit, programi i tij prej njëzet pikash për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, çalonte tek theksi që i vinte reformës agrare.

Figura poliedrike e Nolit do të fokusohej në vitet ’30 në një spektër tjetër përpjekjesh krijuese, në atë të muzikologjisë. Në vitin 1935 Noli, i njohur gjerësisht si klerik dhe politikan, iu kthye njërit prej pasioneve të tij të hershme, muzikës. Në moshën 53-vjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Nju-England, në Boston, ku u diplomua më 1938. Para se të shtypej për botim, monografia “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, u mbrojt prej Nolit si temë diplome.

Përmes këtij studimi, Noli mori gradën shkencore të shkallës së parë në muzikë. Interesi i Fan Nolit për muzikën nisi në kishë. Ai u njoh si themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Boston të SHBA, më 1908. U bë reformatori i mirëfilltë i saj. Reforma kishtare e Nolit solli të kënduarit shqip në kishë. Të kënduarit në “kishën e Nolit” bëhej me kor të përzier (burra e gra), ashtu siç këndohen në Perëndim meshat, oratoriot, requiem-et e madrigalët, por që ishin himne të Kishës Ortodokse dhe më kryesorja, të përkthyera prej tij dhe kënduara të gjitha në shqip./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme