21 Korrik, 2024 - 10:29 pm
Ernest Hemingway i kaloi vitet 1930 në Key West, Florida dhe më shumë se gjashtë dekada pas vdekjes së tij, fansat, studiuesit dhe të afërmit vazhdojnë të mblidhen në qytetin ishull për të festuar romanet e autorit të vlerësuara me çmime dhe jetën e mbushur me aventura, sipas AP.
Festivali “Hemingway Days” (Ditët e Hemingway) nisi në vitin 1981 pas një konkursi me tregime të shkurtra. Këtë vit, ai përfundon të dielën në 125-vjetorin e lindjes së Hemingway, më 21 korrik 1899.
Si romancier, shkrimtar i tregimeve të shkurtra dhe gazetar, vendi i Hemingway në panteonin e letërsisë amerikane është i pamohueshëm dhe trashëgimia e tij përshkon kulturën dhe karakterin e Key West.
Stërnipi i Hemmingway, Stephen Hemingway Adams, lindi gati tre dekada pasi Hemingway vdiq. Adams tha se puna me gjyshin e tij, Patrick Hemingway, i cili ishte djali i dytë i Ernest Hemingway, e ndihmoi atë të fitonte një kuptim më të thellë të paraardhësit të tij të famshëm.
“Unë fillova të punoja me gjyshin tim dhe botuam një libër të quajtur “I dashur baba”, i cili përfshinte të gjitha letrat midis Ernestit dhe gjyshit tim”, tha Adams.
Dallimi midis perceptimit të publikut dhe realitetit të dokumentuar të Hemingway mund të jetë i paqartë.
Atij i pëlqente peshkimi në Karaibe dhe gjuetia në Afrikë. I pëlqenin ndeshjet me dema, bejsbolli, boksi dhe të frekuentonte baret.
Por ai ishte gjithashtu një artist serioz që fitoi çmimet “Pulitzer” dhe “Nobel”. Ai përfshiu aq shumë nga përvoja e tij e jetës në shkrimet e tij, saqë mund të jetë e ndërlikuar të ndash njeriun nga miti.
Key West – që Hemingway vizitoi për herë të parë në 1928 – ishte një fshat peshkatarësh jo një destinacion turistik plot lëvizje.
Hemingway dhe bashkëshortja e tij e dytë, Pauline, kishin planifikuar vetëm një ndalesë të shkurtër për të marrë një makinë gjatë lëvizjes së tyre nga Parisi në Arkansas, ku jetonte familja e Pauline. Por makina nuk ishte gati dhe ata duhej të prisnin disa javë.
Hemingway shpejt u miqësua me pronarët e bizneseve dhe peshkatarët vendas.
Çifti bëri vizita të shpeshta në ishull dhe përfundimisht bleu një shtëpi koloniale franceze me një sipërfaqe prej 1,5 hektarësh në 1931.
“Pasi kaloi pjesën më të madhe të të 20-ave në Paris, Hemingway përqafoi stilin e jetës së ishullit shumë të ndryshëm”, sipas Cori Convertito, një kuratore në Muzeun e Artit dhe Historisë Key West në Custom House.
Convertito vuri në dukje se Hemingway ishte në të 30-at e tij për shumicën e kohës që ai jetoi në Key West.
“A Farewell to Arms” përfundoi pak pasi ai filloi të vizitonte Key West dhe pritja e atij libri, së bashku me mbulimin e Luftës Civile Spanjolle në fund të viteve 1930, ia rritën famën.
Pjesa më e madhe e kohës së Hemingway në Key West iu kushtua peshkimit me miqtë. Convertito tha se Hemingway filloi të ishte pionier i teknikave të reja pasi mori varkën e tij, “Pilar”, në 1934.
Festivali “Hemingway Days” filloi si një mjet për të promovuar “Sloppy Joe’s Bar”, një nga strehat e preferuara të Hemingway.