3 Gusht, 2023 - 12:08 pm
Një nga vendet e para në botë për prodhimin e verërave, Shqipëria është në mes të një revolucioni cilësor, pasi vreshtarët po përqafojnë varietetet vendase të rrushit, shkruan Samantha Maxwell për revistën e specializuar për kulturën dhe biznesin e pijeve ”SevenFiftyDaily”.
”Shqipëria ndodhet mes Malit të Zi në veri dhe Greqisë në jug. Pavarësisht mungesës së famës aktuale në skenën botërore të verërave, Shqipëria është një nga vendet më të vjetra prodhuese të verës në botë. Besohet se prodhimi i verës në Shqipëri filloi në Epokën e bronzit, rreth 3 000 vjet më parë.
Që atëherë, një periudhë e gjatë e sundimit otoman, dy luftëra botërore dhe një regjim komunist – që efektivisht e izoloi vendin nga pjesa tjetër e botës deri në fillim të viteve 1990 – sakatoi industrinë e verës në Shqipëri. Në disa pika gjatë kësaj historie, prodhimi i verës ra me shpejtësi. Pjesa më e madhe e verës që prodhohej në vend gjatë sundimit komunist ishte me volum të lartë dhe me cilësi të ulët.
Tani, mbi 30 vjet që nga rënia e diktaturës së vendit, industria e verës në Shqipëri po njihet globalisht. Sipas Dashamir Elezi, një sommelier dhe president i Shoqatës Shqiptare të Somelierëve, shumë nga prodhuesit e vendit kanë studiuar prodhimin e verës në vendet e afërta si Italia, Greqia, Franca dhe Gjermania, gjë që ka ndikuar në stilin e verërave të bëra si nga ato ndërkombëtare ashtu edhe ato vendase.
Prodhimi është gjithashtu në rritje. Mes viteve 2000 dhe 2016, prodhimi i rrushit në Shqipëri u rrit mbi 250 për qind. Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, në vitin 2022, vendi prodhoi 3,03 milionë litra verë, 46,4 për qind e së cilës u eksportua, kryesisht në vende të tjera evropiane. Eksportet drejt SHBA kanë qenë sporadike dhe të përqendruara në Teksas dhe Miçigan, por pritet të rriten në vitet e ardhshme.
Ndërsa industria e verës në Shqipëri vazhdon të rritet, disa nga prodhuesit e vendit shpresojnë të arrijnë një audiencë më të gjerë përmes turizmit.
“Rritja e turizmit është një shenjë e mirë, pasi mentaliteti i turistëve është të konsumojnë në vend dhe të zbulojnë kulturën vendase, veçanërisht ushqimin dhe verën”, thotë Ermira Çobo, vajza e madhe e familjes Çobo, pronare e komapnisë ”Çobo” në Berat. Drejtuesit e industrisë janë gjithashtu në një mision për të edukuar më shumë konsumatorë për verën shqiptare.
“Gjëja më e rëndësishme është që njerëzit të kuptojnë se këto janë verëra mesdhetare”, thotë Bujar Yuri Tukuli, ambasadori shqiptar i verës dhe themeluesi i ”Ditës së Verës” dhe importues shqiptar i verës në Irving, Teksas.
Kjo është një kohë emocionuese për Shqipërinë, ajo që do të vendosë standardet për pamjen e verës shqiptare për brezat që do të vijnë.
“10, 15, 20 vitet e ardhshme kanë të bëjnë me gjetjen e xhevahireve të vërteta të territorit dhe varieteteve vendase të rrushit”, thotë Tukuli.
Rajonet kryesore të verërave
Megjithëse Shqipëria është një vend relativisht i vogël, ajo krenohet me një gamë të gjerë kushtesh për kultivimin e rrushit.
“E bukura e verërave nga Shqipëria është se ato nuk duhet të keqkuptohen”, thotë Tukuli.
“Janë 100 për qind verëra të Mesdheut dhe ndikohen nga deti Adriatik ose Jon dhe janë 100 për qind verëra kontinentale nëse jeni në kufi me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe me ndikim nga liqenet natyrore të Ohrit dhe Prespës dhe malësitë e brendshme”, thekson ai.
Aktualisht, Shqipëria nuk ka asnjë rajon të caktuar gjeografikisht të verës, por zonat e prodhimit të verës në vend mund të kategorizohen në rajone veriore, qendrore dhe jugore.
Megjithatë, këto rajone nuk janë të specifikuara dhe disa ekspertë i zbërthejnë ato ndryshe.
Shqipëria e Veriut
Në rajonin malor verior të Shqipërisë, lartësitë mund të arrijnë në 1 000 metra në disa zona. Këto lartësi, të kombinuara me erërat e ftohta kontinentale dhe tokat e drenazhuara mirë dhe të pasura me minerale, rezultojnë në verëra me aciditet të lartë, të prodhuara shpesh nga rrushi Kallmet. Verilindja e vendit ka një klimë mesatarisht të thatë, e cila pakëson presionin e sëmundjeve dhe në masë të madhe mohon nevojën për spërkatje të shpeshta. Madje, disa pjesë të Shqipërisë Verilindore janë shtëpia e hardhive të pashartuara, duke përfshirë Cerrujën e bardhë dhe Dibrakun e kuq.
Shqipëria e Mesme
Shqipëria e Mesme, e cila dominohet nga një peizazh kodrinash që arrijnë lartësinë deri në 450 metra, është e famshme për tokat e saj, përfshirë kuarcin, argjilën, gurët ranorë e tjerë. Ekspozimi bujar i diellit ndihmon në pjekjen e Sheshit të Zi dhe të Bardhë, të cilat janë varietetet dominuese që rriten në këtë pjesë të vendit.
Prodhuesit e aftë për mjedisin në këtë rajon po përdorin biodiversitetin në vreshtat e tyre për të zhvilluar praktika më të qëndrueshme të rritjes.
“Duke qenë se një pjesë e mirë e kësaj zone është e mbjellë me vreshta dhe ullinj, zakonisht banorët e përdorin tokën e tyre edhe për kullota për kafshët shtëpiake dhe për rritjen e bletëve”, thotë Elezi.
Shqipëria e Jugut
Në cepin juglindor të Shqipërisë, vreshtat mund të arrijnë 800 metra dhe priren të mbrohen nga erërat e forta nga perëndimi nga vargmalet malore. Këtu kantinat si ”Korça 2000” po kultivojnë rrushin e bardhë Debina, i njohur për aciditetin e theksuar. Pak në perëndim, në Shqipërinë Qendrore dhe Jugore pranë qytetit të Beratit, rrushi i bardhë i Pules prodhon verëra me lule dhe raki. Vloshi i shijshëm mund të gjendet në Shqipërinë Jugperëndimore rreth qytetit të Vlorës.
Varietetet kryesore vendase të rrushit
Disa prodhues në Shqipëri, si kantina ”Ilir”, e vendosur në Elbasan, po fokusohen në varietetet ndërkombëtare, duke përfshirë Merlot, Chardonnay, madje edhe Gewürztraminer.
Por, shumë pajtohen se rrushi vendas i Shqipërisë ka potencialin më të madh për industrinë e verës në vend.
“Gjëja e dytë më e keqe që bëmë pas komunizmit ishte që sollëm shumë varietete rrushi nga Italia dhe Franca”, thotë Tukuli.
“Gjëja më e rëndësishme dhe më emocionuese për të cilën pajtohen pothuajse të gjithë prodhuesit e verës është fakti që ata duhet të fokusohen në varietetet vendase të rrushit”, shton ai.
Sheshi i Kuq dhe i Bardhë
Shqipëria kultivon Shesh të Kuq dhe të Bardhë, të cilët janë rrushi më i kultivuar në vend. Shesh i Kuq, është i njohur për prodhimin e verërave me ngjyrë rubin të errët me taninë bujare që i përshtaten mirë vjetërsisë. Ata priren të jenë plot trup me nota frutash të errëta si boronica dhe manaferra. Sheshi i Bardhë përgjithësisht ”mburret” me ngjyrën e artë dhe jep verëra me nota agrumesh dhe lulesh të bardha. Të dy varietetet rriten kryesisht në Shqipërinë Veriore dhe Qendrore.
“Kur merr rendimente të vogla, mund të kesh produkte jashtëzakonisht të mira”, thotë Irdi Lushi, i cili fitoi titullin e somelierit më të mirë shqiptar të vitit 2019 nga ”Association de la Sommellerie Internationale” dhe Shoqata e Somelierëve Shqiptarë.
Kallmeti
Kallmeti vjen edhe në varietetet e kuqe dhe të bardha, por e kuqja mbillet më gjerësisht. Ai mund të gjendet kryesisht në veriperëndim të vendit, ku erërat e forta mohojnë në masë të madhe nevojën për pesticide. Varieteti i kuq krenohet me aciditet të theksuar dhe tanine të lëmuara, të cilat i bëjnë këto verëra kandidatë të mirë për plakjen e lisit. Kallmeti rritet gjithashtu në Hungari, ku quhet Kadarka, si dhe në Bullgari, ku quhet Gamza.
Vloshi
Në jugperëndim të Shqipërisë, rrushi i kuq Vlosh është një varietet veçanërisht i dukshëm. Tukuli e krahason Vloshin me Rossese italiane (e njohur edhe si Tibouren në Francë) apo edhe Trepat nga Katalonja. “Verërat nuk do të kenë shumë ngjyrë, por sidoqoftë, do të keni këtë rubin të lehtë”, thotë Tukuli.
“Verërat do të jenë nga më të lehtat në të gjithë Shqipërinë, por ato kanë shumë intensitet, veçanërisht për shkak të tokës. Kjo është pjesa më e vjetër e Shqipërisë ku tokat janë shkëmbinj metamorfikë oqeanikë që datojnë në Jurasikun e Mesëm”, shton ai.
“Këto verëra janë thjesht të jashtëzakonshme”, thekson Tukuli.
Pulësi
Berati, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s që ndodhet në Shqipërinë Qendrore, është gjithashtu shtëpia e Pulësit, një varietet i bardhë. Kjo verë e bardhë është më e njohur për aromën e saj të luleve të bardha, një fund të gjatë shijeje dhe aciditetin e theksuar.
“Aciditeti mund të jetë pak dërrmues në vitin e parë… por pas një deri në dy vjet, bëhet një verë shumë e këndshme dhe e ekuilibruar”, thotë Lushi./ atsh / KultPlus.com