19 Korrik, 2024 - 12:05 pm
Nga: Alisa Velaj
Në tetorin e vitit 2013, përmbledhja me poezi të zgjedhura “Më jepni një emër” e poetit Fatos Arapi, botohej në gjuhën polake nga shtëpia botuese “Komograf” në Varshavë. Poezitë u përkthyen nga Mazllum Saneja dhe Eva Smietanska, ndërsa libri u shoqërua me një parathënie të Andrzej Zaniewskit, poet, prozator dhe kritik shumë i njohur në Poloni e përtej saj. Përveç faktit kuptimplotë se ky vëllim i tij në polonisht përbën një njohje të poezisë sonë elitare në një tjetër gjuhë evropiane; përtej rastësisë fatlume se vjen i botuar në tetor, muaj të cilit poeti i këndoi si rrallëkush në poezinë shqipe dhe në të cilin biri i Akrokerauneve nisi fluturimin e tij qiellor; ky vëllim me poezi, përmban një nga studimet më të përkora dhe të thella që i është bërë ndonjëherë poetikës arapiane nga kritika e huaj dhe ajo shqiptare. Në parathënien e librit, me titullin intrigues “Emra të shkëmbinjve që shkëlqejnë në gji”, Zaniewski e vë theksin në shumë aspekte të krijimtarisë së poetit shqiptar, por ne do të ndalemi në dy prej tyre: së pari, në përfundimin se: “… nga poezitë e Fatos Arapit aq shumë kam mësuar për Shqipërinë dhe shqiptarët” dhe së dyti (por, jo nga rëndësia) në përcaktimin shterues se: “… dy forca, dy vektorë të qartë etikë vigjiluakan mbi djaloshin nga Deti Jon, duke e shpënë atë në thellësirat e fatit. Kjo një energji e pashtershme e jetës dhe një nevojë e pamposhtur e lirisë”.
Që të mësosh nga një poet apo shkrimtar i përkthyer në një gjuhë të caktuar, për fatin e kombit të tij, është padyshim privilegj, jo vetëm i talentit të përveçëm poetik (truall letrar ku shumë janë të thirrurit dhe fare pak të zgjedhurit), por edhe një mision i shenjtë shpirtëror për ta mbartur atdheun kudo me vete, si Atlasi qiellin e tij. Është padyshim kjo lloj mbartjeje e atdheut dhe nevoja e pamposhtur e lirisë, një ndër shumë arsyet që do ta kenë shpënë kolegun tjetër ballkanas të Fatosit tonë, pikërisht poetin dhe studiuesin maqedonas Anté Popovski, që të arrijë në gjykimin se: “Poezia e Fatos Arapit është vertikalja estetike dhe morale e poezisë bashkëkohore shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX”. Vertikalja morale e poezisë së Arapit, vjen me faktin se poeti nuk i këndoi vetëm lirisë dhe jolirisë së atdheut të tij në epoka të ndryshme, por se nocionin liri ai e pa në shumë dimensione, ku njëra prej tyre ishte liria e popujve. Gjatë krijimtarisë së shtrirë në gjashtë dekada, poeti eci dorë për dore me tragjeditë e shumë popujve, u këndoi himne lirie tiranive të qytetërimeve të lashta dhe atyre moderne. Qe si një lloj ushtari i rrëzuar në fushën e betejave të pakohshme për liri, ku hordhitë e çmendura të bijve të errësirës ngjishnin hapat e tyre të komanduar prej frymës së ndotur të tiranëve.
o unë vij e mbledh rrënojat.
dhe me duar të dhimbjes sime
asgjësimin
ngre në këmbë.
Mu në zemër të njeriut
ngrita shtatoren e dhimbjes. (Exegi monumentum)
Poeti i ngre një shtatore dhimbje edhe holokaustit nazist në vende të ndryshme të Evropës. Pjesa dërrmuese e poezive për tragjedinë e popullit hebre dhe popujve të tjerë janë përfshirë në përmbledhjen poetike në gjuhën polake. Janë poezi të mrekullueshme si nga ana estetike, ashtu dhe nga intensiteti i pikëllimës pa cak e zanafillë përpara rrënojave të humanizmit njerëzor. Përmendim poezitë “Dahau” dhe “Dedikim në ditarin e Ana Frankut” në vëllimin “Drejt qindra shekujsh shkojmë” (1977), “Më duhet të takoj Robert Desno-n” në vëllimin “Më duhet një gjysmë ëndrre” (1999), “Përse të shkosh në Mat’hausen?” në vëllimin “Shëtitje pa veten” (2005) etj. Shohim se dy poezitë e para vijnë të botuara gjatë viteve të diktaturës, ndërsa dy të tjerat në kohën e pluralizmit politik në Shqipëri.
Nga të dhënat historike, mësojmë se Dahau ishte i pari kamp përqendrimi i hapur nga udhëheqja naziste në mars të vitit 1933 dhe shërbeu si model për ndërtimin kampeve të tjera të përqendrimit në Gjermani. Sipas të dhënave të kampit, puna në Dahau ishte aq rraskapitëse, sa viktimat e para humbën jetën tragjikisht në tri javët e para, ndërsa deri në përfundimin e luftës, aty gjetën vdekjen rreth 32 000 të burgosur. Kampi i Dahaut është pra i pari varr masiv i holokaustit hebre të kohëve moderne. E keqja e parë, që do të mbillte të tjerë varre apo varri mëmë. Prandaj dhe Arapi e përfytyron Dahaun si një varr shëtitës.
Nga dita në ditë,
nga viti në vit. Varr që ecën
udhëton, Dahau. (Dahau)
Çfarë e pikëllon poetin tonë përtej ndodhisë së tmerrshme? Padyshim se e keqja që ka zënë rrënjë dhe papritmas nuk vjen në përfytyrimin e një varri të ngulitur në një tokë, por si një varr shtegtar që mund të shfaqet papritur në horizontet e një tjetër populli. Ecën e udhëton njeriu, por jo varri i tij. Një varr udhëtar papritur do të ngjallet dikur diku dhe do të gëlltisë të tjerë njerëz. Një varr udhëtar tregon se apeli për humanizëm nuk ka nevojë vetëm për fjalë, por për veprime që e çrrënjosin të keqen me themel. A nuk u shfaq ky varr shëtitës në Ukrainën e sotme, ku mijëra jetë të pafajshme u gllabëruan prej ditës në ditë? Poezitë që Arapi i thur holokaustit hebre marrin vlerë edhe për holokaustet e tjerë që kemi përpara syve. A nuk tingëllon poezia “Dedikim në ditarin e Ana Frankut” si një vaj për një vajzë të vogël ukrainase nëse do ta hiqnim emrin e Anës dhe do ta zëvendësonim me emrat Alona, Antonina, Maryna, Mikhaila? Tek emri i Anës fundosen gjithë tragjeditë njerëzore, të kohëve të shkuara dhe të kohëve të tashme, të kohëve të lashta dhe të kohëve moderne. Edhe poeti shqiptar që i shkruan këto vargje ka gjithashtu një varr ende të pazbuluar në makthet dhe në shpirtin e tij: varrin e të vëllait, Vllasit, kujtimi i të cilit dhe i mijëra të vrarëve të tjerë, i të zhdukurve pa nam e nishan apo i të burgosurve politikë në burgjet e atdheut, e bën që ta ndiejë dhimbjen e popullit hebre, njësoj si dhimbjen e tij. Ndaj flet për varre të gjalla që enden në kujtesën e njeriut si fantazma ndjellakeqe.
Ka një emër të thjeshtë gjer në dhimbje …
E merr në duar, e kundron … e së largu
ndjen se si tek ty gjithë tragjeditë njerëzore
fundosen e kridhen …
Një emër njeriu – Ana Franku (Dedikim në ditarin e Ana Frankut).
Në qytetin e dashurisë, në Paris, Arapi nuk mundet ta gjejë dot udhën për te dashuria e tij, pa iu përfalur së pari Robert Desnos. Robert Desnos (1900-1945) është poet i shquar surrealist francez. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Desnos ishte anëtar i Rrjetit Francez të Rezistencës dhe botonte shkrime me pseudonime të ndryshme, derisa ra në sy të Gestapos dhe u arrestua më 22 shkurt 1944. Vuajti dënimin në kampet gjermane të përqendrimit në Aushvic, Buchenwald dhe në fund në Terezín, ku edhe vdiq nga ethet e tifos një muaj pas çlirimit të kampit. U shua në Malá pevnost, pjesë e brendshme e Terezínit, e cila përdorej vetëm për të burgosurit politikë. Si mundet dikush të mos humbasë një Paris të tërë, një dashuri të tërë në Paris, nëse i shmanget takimit me poetin profet të Lirisë dhe dashurisë? Si mundet Arapi të jetë i lirë për të shijuar Parisin dhe dashurinë, nëse më parë nuk bekohet prej këngëtarit të dritës Robert Desno, i cili u përpoq për një Paris pa pranga tiranie, për një qytet pa hije vdekjeje nëpër shpirtrat e njerëzve. Prandaj shpirti i poetit shqiptar është i paqetë në qytetin e dritave, i paplotë derisa ende s’ka takuar Prometeun e Lirisë.
Më duhet të takoj Robert Desno-n, në Paris.
Ai është i vdekur, as unë s’jam i gjallë.
…
Ai është hije, as unë s’jam i vërtetë.
…
Tani më duhet prej territ tim,
të krijoj e ta ndez diellin.
Dhe me diellin tim në dorë,
të hyj në jetën e Saj. (Më duhet të takoj Robert Desnon)
Ky takim i një poeti të gjallë e rrugëhumbur në kryeqytetin e dashurisë (Sepse i humba të gjitha rrugët), me një poet të vdekur, kryqëzuar e torturuar nga tiranët e lirive, që deri në çastet e mbrame të jetës e mbrojti me guxim të paepur të dashurën e vet, shndërrohet në alegorinë e lirisë së trashëguar nga një brez në tjetrin, nga një popull në tjetrin. Liria si kusht ekzistence, liria si mirënjohje ndaj shpirtrave të ndritur të heronjve që dhanë jetën për të. Liria si testament drite nga ati te bijtë. Robert Desno është poeti at i dritës. Arapi është biri poet i po kësaj drite. Me shkëndijën e diellit të Desnos, poeti shqiptar do të ndezë diellin e territ të tij të dashurisë. Për të qenë i gjallë, për të qenë i vërtetë dhe pikërisht kjo e vërtetë do ta bëjë të lirë në kërkimin e tij në qytetin e dritave.
Poezia “Përse të shkosh në Mat’hausen” trajton çështjen e holokaustit shqiptar nën pushtimin nazist. Holokausti në Shqipëri përbëhej nga vrasje, dëbime dhe krime kundër njerëzimit përkushtuar hebrenjve, sllavëve, romëve dhe minoriteteve tjera në Shqipërinë e Madhe nga gjermanët, italianët dhe forcat bashkëpunëtore shqiptare në kohën kur shteti ishte nën pushtim italian dhe gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kampi i Mauthausen-it ishte një kamp përqendrimi nazist i vendosur pranë fshatrave të Mauthausen-it dhe Gusen-it në Austri. Ky kamp quhej “mulliri i kockave”, pasi Hitleri e shfrytëzonte për të dërguar aty drejt vdekjes armiqtë e tij më të përbetuar politikë. Në mesnatën e 15 marsit 1943, krahas shumë të arrestuarve në vendlindjen e poetit do të ishte dhe mësuesja e Fatosit, zonjushë Zina.
Përse, përse sot në Mat’hausen?
Por, çështja është, se Zonjushë Zina, pret atje …
Dhe nga pllaka e gurtë
tani zgjatet një dorë:
një trëndafil, kësaj here, jo i kuq, –
i verdhë … (Përse të shkosh në Mat’hausen?)
Poezia mban si datë krijimi 1 qershorin 2004 dhe është shkruar në Vjenë, plot 61 vjet pas arrestimit të mësueses së poetit. Vetë Fatosi ishte 10 vjeç kur nisi lufta më 1939 dhe në vitin 1943, në moshën 14-vjeçare doli partizan, ndërkohë që ishte aktivizuar dhe më parë me lëvizjen çlirimtare. Në mars të vitit 1943, kur mësuesja e tij do të ishte në rrugëtimin drejt kampit shfarosës të përqendrimit, nxënësi i saj luftonte për lirinë e atdheut si partizan. Po ky nxënës, tashmë poet dhe një burrë i thinjur 75-vjeçar ndodhet para Memorialit të Holokaustit shqiptar në Mat’hausen. Trëndafilat e kuq të dashurisë për mësuesen, dhuruar dikur nga kopshtari, i vijnë në kujtesë si trëndafila të verdhë e të zbehtë vdekje. Poezia ka një dramacitet shumë të ngjeshur, sidomos përmes përsëritjes së pyetjes kuptimplote: “Përse, përse sot në Mat’hausen?”. Ajo nuk është pyetje që uni lirik ia drejton vetes, por një pyetje që ia bën lexuesit. Vetëm duke mos e harruar të kaluarën dhe tiraninë e së djeshmes, do të dimë t’i ndërtojmë më mirë udhët e Lirisë. Duke shkuar sot dhe përherë sot në vendet e krimit, përforcohet kujtesa për të mos harruar të keqen. Arapi bën apel, sepse “njeriu s’harron”. Harresa është varr i hapur, ndërsa kujtesa është etje për Jetë dhe Liri! / Epoka e Re/ KultPlus.com