12 Shtator, 2021 - 10:28 am
Zyra Federale e Hetimeve e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas 20 vjetësh i ka publikuar dosjet e para sekrete rreth sulmeve të 11 shtatorit.
Më 11 shtator grupi terrorist Al-Qaeda lansoi një sulm drejt SHBA-së nga i cili sulm humbën jetën dy mijë e 996 persona.
Dokumenti u publikua të shtunën, një javë pasi presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi urdhrin ekzekutiv përmes së cilit FBI-së i kërkohej t’i bënte këto dosje të qasshme për publikun.
Ky veprim erdhi pas presioneve të familjarëve të viktimave të 11 Shtatorit që janë të etur ta vërtetojnë nëse edhe qeveria saudite ka potencialisht gisht në atë sulm.
Dokumenti flet për një intervistë të vitit 2015 me një anëtar stafi që kishte punuar në Konsullatën Saudite në Los Angeles.
Ai dyshohej se u jepte përkrahje logjistike rrëmbyesve të aeroplanëve kur ata kishin arritur në Kaliforni kohë para se ta finalizonin sulmin.
Sidoqoftë, dokumenti është i redaktuar ndërkaq emri i anëtarit të stafit mbetet i pazbuluar. / KultPlus.com