23 Mars, 2021 - 12:44 pm
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka prezantuar logon e vet të re, në prag të fillimit të fushatës kualifikuese të Kombëtares për Kupën e Botës 2022.
Tri vjet pasi e shpalosi logon e parë që prej anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, e cila u prit me kritika dhe mospëlqim, organi qeverisës i futbollit kosovar e prezantoi logon e re të martën, raporton Gazeta Express.
Logoja është punuar një partneri i UEFA-s, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.
“Në pajtueshmëri me UEFA-s, i është besuar një partneri të UEFA-s për ta bërë logon. Kjo kompani i ka bërë 28 logo të Federatave. Futbolli duhet të jetë pikë unifikuese”, ka thënë Alba Morina nga Zyra për Marketing e FFK-së.
Logoja e re përbëhet nga tri ngjyra, ari, bardh dhe kaltër, me këtë të fundit që dominon. Me inicialet e federatës (FFK) të vendosura në kokë dhe gjashtë yjet e flamurit të Kosovës, që përfaqësojnë pakicat në vend, nën të, logoja përmban edhe një simbol dardan në formë rrethi, si dhe topin e futbollit.
Logoja e kaluar, dizajni i së cilës u kritikua bashkë me procesin sesi u bë ajo në vitin 2018, ishte shumë më e thjeshtë. Ajo përmbante yjet në flamurin e Kosovës dhe një top futbolli.
Me logon dhe fanellat e reja, Kosova do ta nisë fushatën e dytë kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e Kombëtares të dielën e ardhshme më 28 mars.
Verdhekaltrit e presin Suedinë e Zlatan Ibrahimovicit në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet të dielën, para se të udhëtojnë drejt Sevillës për t’u përballur me Spanjën tri ditë më vonë. /KultPlus.com