14 Mars, 2024 - 2:37 pm
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka zgjedhur kryesuesin e ri.
Me 22 vota për, Fehmi Kupina është zgjedhur kryesues i ri i Kuvendit Komunal të Prishtinës, për të dytën herë në këtë pozitë, shkruan Reporteri.net.
Ai tek në rundin e tretë të votimit ka arritur të marrë votat e mjaftueshme.
“Me të vërtetë sot ndihem me fat dhe krenar, qoftë si politikan apo si individ sepse për mua nuk ka nder e vlerësim më të lartë që mund të më bëhet sesa vlerësimi i qytetarit të Prishtinës.
Sot zotohem para jush dhe para qytetarëve se do të vazhdoj të punoj për të mirën e përgjithshme dhe publike në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Do të jem i hapur për bashkëpunim me të gjithë”, ka thënë Kupina pas rizgjedhjes në këtë post.
Kujtojmë se Kuvendi i Komunës së Prishtinës, më 27 shkurt në një seancë të të thirrur nga VV-ja, ka shkarkuar kryesuesin e kuvendit komunal, Pëllumb Bajqinovcin.
Inicimi për shkarkim të kryesuesit ka ardhur pas prishjes së koalicionit LDK-PDK në nivelin ekzekutiv, duke e lënë në pushtet LDK-në, që tashmë është pakicë në Kuvendin e Komunës. / KultPlus.com