5 Tetor, 2021 - 10:00 am
Me moton “F… Seksizmit” në ditën e katërt të festivalit “FemArt 9” u realizua konferenca “Adresimi i seksizmit, ngacmimit dhe ngacmimit seksual në Kosovë” me autore Ariana Qosaj-Mustafa, ku u synua diskutimi në lidhje me adresimin e seksizmit në media dhe në kulturë, në dy degë të gjera ku seksizmi ka arritur të jetë pjesë e përditshme e tyre, me ç’rast kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal Daorsa Kica-Xhelili, themeluesja dhe kryeredaktorja e gazetës KultPlus Ardianë Pajaziti, regjisorja dhe prodekanja e Fakultetit të Komunikimit masiv në Kolegjin AAB Burbuqe Berisha si dhe gazetarja në Radio Televizionin e Kosovës Kaltrina Rexhepi-Dragusha, kanë ndarë sfidat, ballafaqimet dhe përvojat e tyre personale të cilat janë hasur qoftë në punë apo edhe në jetën e përditshme, shkruan KultPlus.
Duke pasur parasysh se artistë/e dhe aktivistë/e nga komunitetet lokale dhe ndërkombëtare mblidhen për të provokuar, frymëzuar dhe sfiduar në çdo mënyrë të mundshme realitetet aktuale seksiste, duke filluar nga shfaqjet, poezitë dhe vallëzimet, diskutimet dhe konferencat e deri në rebelime, një konferencë e tillë e dëshmoi pikërisht se të drejtat e grave duhet të trajtohen si të drejta të njeriut për të arritur barazinë politike, ekonomike, kulturore, personale dhe shoqërore. Andaj, nëpërmjet formës online dhe fizike, edicioni i 9-të i ‘FemArt’ po vazhdon të sjellë në Prishtinë aktivitete të ndryshme artistike e kulturore në mënyrë që publiku të jetë sa më pranë këtyre çështjeve aktuale që ndodhin çdo ditë në shoqërinë tonë.
Fillimisht, në rolin e moderatores nga festivali “FemArt”, Zana Hoxha nisi diskutimin në kuadër të panelit të titulluar “Seksizmi në kulturë dhe media” duke shpalosur pak për raportin e përgatitur dhe publikuar në organizatën ‘ArtPolis’ me autore Ariana Qosja Mustafa.
“Adresimi i seksizmit në media gjatë përpilimit të raportit sipas autores, Asociacionet e Mediave dhe Komisioni i Pavarur i Mediave kanë refuzuar që të përgjigjen dhe të jenë pjesë e këtij raporti e që në fakt pikërisht ato institucione duhet të jenë njëfarë lloj zëri i gazetarëve dhe pika lidhëse ndërmjet gazetarëve, institucioneve dhe mediave në Kosovë”, thotë Hoxha.
Tutje, kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica-Xhelili, ka ndarë përvojën e saj në lidhje me sfidat në të cilat ka kaluar si dhe mendimin në lidhur me atë se çfarë po ndodh në ditët e sotme në kuadër të seksizmit.
“Unë kisha një përvojë të drejtpërdrejtë dhe kjo nuk është as e para dhe as e fundit, për këtë jam e bindur. Ajo që vërej në Kosovë në përgjithësi është që zakonisht zëri i grave në Kosovë ka njëfarë tendence që të tentohet të zvogëlohet duke sulmuar aty ku supozohet që preken më së shumti pra në aspektin moral. Unë nuk e morra shumë seriozisht sulmin që më ndodhi mua për arsye se kur ke një mekanizëm sikur familja apo aspekti profesional, atëherë e ke pak më lehtë të ballafaqohesh me këto çështje”, thotë Xhelili.
Sipas saj, një mbështetje profesionale që duhet të vijë në familje konsiderohet luks dhe fare nuk do të duhej të ishte ashtu.
“Unë nganjëherë kam përshtypjen se reagimet po bëhen për tema për të cilat po vlerësohen se janë popullore. Në rastin tim mendoj se ka qenë shumë lehtë të reagohet për rastin tim e çka shohim vazhdimisht në media është një objektifkim i grave, një gjuhë seksiste duke filluar nga persona të cilat kanë pasur pozita kryesuese në media, duke vazhduar nga gazetarët, nga politikanë e deri tek fytyrat fetare në Kosovë”, përfundon Xhelili.
Ndërsa, regjisorja dhe prodekanja e Fakultetit te Komunikimit masiv në Kolegjin AAB, Burbuqe Berisha, foli rreth përvojës së saj në lidhje me adresimin në shkollim dhe pozitës së saj si drejtoreshë dhe sfidat që pasojnë pas.
“Si regjisore e parë që kam studiuar në fakultetin e arteve, njëri nga profesorët mu drejtua me pyetjen: ku ke parë femër regjisore? Fuqinë e gruas asnjëherë nuk e kanë krahasuar me atë të mashkullit, por në fakt regjisoret femra në teatër dhe në film janë shumë më të suksesshme se gjinia tjetër. Femrave gjithmonë iu mohohet e drejta. Ndërsa, përballja e dytë ishte nga një koleg pak më i vjetër se unë, kur e ka parë se statusi im ka ndryshuar nga studentja por unë gjithmonë i kam trajtuar me sportivitet sepse mu kanë dukur të parëndësishme”, thotë Berisha.
Sipas saj, ajo ka pasur një babë i cili rendin e femrave e ka pasur më të lartë sesa meshkujve e prandaj edhe veprimet seksiste asnjëherë nuk kanë qenë përshtypje për të.
“Pastaj në teatër kam pasur disa atakime të ndryshme. Ka mjaft gjëra me të cilat ballafaqohemi dhe vazhdojnë ende edhe sot. Ka pasur shumë ballafaqime të ndryshme dhe andaj edhe më ka shtyrë që të përkrahi tutje më shumë gjininë femërore dhe gjithmonë mos me leju që një femër e cila është në rrethin tim, të trajtohen në atë formë”, përfundon Berisha.
Po ashtu, themeluesja dhe kryeredaktore në gazetën KultPlus, Ardianë Pajaziti, ka folur rreth përvojës së saj si gazetare në një kohë ku gazetaria ka qenë një institucion i lartë, dhe jo vetëm.
“Në këto debate do të doja shumë që pjesë të jenë edhe meshkujt sepse gjithmonë po mbetemi brenda vorbullës së grave. Në vitin 1996, kur isha unë gazetare ka qenë shumë ndryshe dhe nuk mund të krahasohet fare. Me themelimin e KultPlus, kur ka pas raste për bashkëpunim atëherë njerëzit u çuditnin se unë isha një drejtoreshë femër, pra assesi me pranu se një grua e udhëheq një medium”, thotë Pajaziti.
Sipas saj, rasti tjetër ka ndodhur me Odën e Aferistëve ku një grua e përgëzoi atë sepse ajo nuk kishte menduar ndonjëherë se një punë kaq të mirë është duke u bërë nga një grua.
“Jemi në një situatë jo të lakmueshme. Në kohën kur e kam filluar gazetarinë unë kam menduar që gazetaria është një institucion i lartë që do ta edukojë shoqërinë kurse tash kemi ardhur në një pozitë që lexuesi është aq i sofistikuar për të edukuar pjesëtarët e një mediumi. Me KultPlus asnjëherë nuk ka ardhur në shprehje që të krijojmë diçka për klikime sepse ashtu jemi munduar që në bazë të kritereve që i kemi vendosur si redaksi, do të thotë që titujt bombastik apo fotografitë bombastike nuk janë pjesë e jona”, thotë Pajaziti.
Për Pajazitin, KultPlus është konsideruar një medium i vetëm që klikohet për tu lexuar d.m.th lexueshmëria e shikuesve qëndron shumë më shumë sesa tek mediumet e tjera.
“Mënyra e plasimit të lajmit në gazetën tonë, është me i thonë ‘Jo’ pares dhe të mirave materiale. Ky panel e ka një peshë shumë të madhe sepse seksizimi ekziston brenda kulturës dhe mediave dhe qasja e tyre vërehet shumë. Ne kemi ardhur në një pikë që rrjeti social Facebook konsiderohet tash si mediumi më i madh në nivel global ku shumica e mediave kanë ardhur në një pozitë ku çdo mendim i gjithsecilit dalin si një lajm me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes vetëm për qëndrueshmërinë e tyre”, përfundon Pajaziti.
Kurse krejt në fund, gazetarja në Radio Televizionin e Kosovës, Kaltrina Rexhepi-Dragusha është shprehur se mediat krijojnë gabime shumë të mëdha, për të cilën duhet të luftohet për një ndryshim.
“Si një vazjë e re kur fillova punë me kontratë gjatë studimeve, unë kam dëshirë të vesh take dhe në punë kishin krijuar një përshtypje që gazetarja duhet të vishet shumë thjesht dhe me patika. Ishte fundviti në punë dhe dhurata ime nga një koleg ishin një parë papuqe të rrafshëta që nënkuptonte se taket e mia gjoja se po i pengonin atyre gjatë punës. Përshtypja e dytë tjetër ishte në Kuvend ku një koleg mu drejtua në pamjen time se si isha e rregulluar tej mase”, thotë Dragusha.
Sipas saj, mediat krijojnë gabime shumë të mëdha duke filluar nga gratë e pozitave nga më të ndryshmet e andaj ajo do të ishte shumë e lumtur që klikimet të mos vlerësohen aq shumë dhe të luftohet në këtë kuadër.
“FemArt” është festivali i parë feminist në Kosovë dhe më i madhi në rajon ku çdo vit mbledh rreth 200 artiste dhe aktiviste nga Kosova dhe Rajoni. Festivali ka arritur të përmbush qëllimin për të krijuar një atmosferë ku artistet ndihen të mirëpritura për të shfaqur artin e tyre, të frymëzuara nga tema shoqërore, si dhe të krijojë një platformë dinamike ku publiku mund të mësoj për problemet shoqërore me të cilat ballafaqohen gratë dhe vajzat në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Po ashtu, festivali përdoret si një platformë për inicimin dhe paraqitjen e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimin e tyre në Kosovë, si dhe evokimin e të drejtave të barabarta dhe ndërtimin e paqes ne rajon. / KultPlus.com