1 Prill, 2022 - 11:20 am
Evolucioni feminist vazhdon. Sivjet edhe më i gjerë e më i plotë. Artiste, aktiviste e feministe vendore dhe ndërkombëtare pikëtakohen sërish në Festivalin e parë feminist në Kosovë e më të madhin në rajon, FemArt.
FemArt 10, për dhjetë ditë me radhë, 14-23 qershor 2022, vjen për të shpërfaqur aftësinë e grave artiste, për t’u përmbushur, inspiruar e për të gjetur paqen. Mblidhemi për të festuar një dekadë të njohjes e nderimit të guximit të grave artiste, fuqisë kreative, e angazhimit të tyre për barazi e drejtësi përmes shfaqjeve teatrore, performancave, baletit flamengo, vallëzimit bashkëkohorë, konferencave, ekspozitave e prezentimeve nga Kosova, Austria, Portugalia, Spanja, Izraeli, Italia e Franca.
Një dekadë guxim, krenari e dashuri. Për një dekadë kemi krijuar ngjarje, thyer barriera e ndërtuar ura të reja të paqes në vend, rajon e më gjerë. Jemi rebeluar për të këputur fijet e patriarkatit, e shkundur mendësinë e dëmshme të së vjetrës.
Aktivizmi ynë artistik-feminist vjen si një përgjigje për t’u shëruar e kuptuar, për të krijuar e transformuar shoqërinë e jetën. Mbi të gjitha për të shkërmuar secilin nocion të normuar mbi pabarazinë. Ky angazhim ka frymuar falë dashurisë për artin, aktivizmin, jetën, ekzistencën, barazinë e drejtësinë.
Në këtë dhjetë vjetorë, për dhjetë ditë ejani të festojmë e rebelohemi, argëtohemi e inspirojmë, performojmë e bëjmë thirrje për barazi, drejtësi, fuqizim e njohje të kontributit të grave, artisteve e aktivisteve deri në revolucionin e radhës. /KultPlus.com