3 Mars, 2025 - 11:50 am
Instituti Italian i Kulturës në Tiranë bëri me dije se do të mbështesë edicionin e katërt të festivalit “FemFest 2025” me shfaqjen teatrale “L’audacia delle ribelli” (Guximi i rebeleve). Shfaqja është e kompanisë “Liberipe Valery” dhe do të përfshijë një lexim me muzikë live nga Stefania Rosso dhe Matteo Castellan.
FemFest, tashmë në edicionin e 4-të të tij, është një festival i dedikuar fuqizimit të femrës me qëllim të ndërgjegjësimit të publikut për çështjet themelore si barazia mes gjinive dhe të drejtat e grave. Tema e këtij edicioni është solidariteti, një vlerë thelbësore në luftën kundër dhunës ndaj grave.
Të pranishmit do të mund të ndjekin një përzierje të teatrit dhe muzikës që përfshin epoka të ndryshme dhe shtron pyetje ende aktuale, për të treguar historinë e guximit femëror në histori. Aktivitetet e FemFest do të zhvillohen në Tulla Center./atsh/KultPlus.com