1 Maj, 2022 - 2:35 pm
Në kuadër të eventeve të organizuara për Javët Ndërkombëtare të Kulturës, u mbajt dje një performancë e veçantë orkestrale midis Petites Mains Symphoniques dhe orkestrës së Liceut Artistik Tiranë në Amfiteatrin e Tiranës.
Një harmoni perfekte në Orkestrën e “Duarve të vogla simfonike”, përbërë nga fëmijë francezë e shqiptarë të moshave 6-17 vjeç e kthyen Amfiteatrin e kryeqytetit shqiptar në një festë muzikore për fëmijë e të rritur.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se “është kënaqësi të shohësh se si muzika, kultura lidh njerëzit, edhe pse flasin gjuhë të ndryshme. Ky është qëllimi i Javëve Kulturore Ndërkombëtare.
Javët Kulturore Ndërkombëtare një nismë e Ministrisë së Kulturës sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e 18 vendeve të botës. E konceptuar si një paradë kulturore ndërkombëtare, e shtrirë përgjatë gjithë vitit, Javët Kulturore Ndërkombëtare është vazhdimi, përfshirja dhe unifikimi nën një brand i një tradite disavjeçare të organizimit të javëve, dedikuar bashkëpunimit kulturor.
Qëllimi i kësaj nisme është njohja dhe forcimi i marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritja e ofertës së aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat duke u shndërruar në një arenë ndërkombëtare multikulturore dhe multidisiplinore. /KultPlus.com