21 Gusht, 2020 - 8:00 pm
Fëmijëria padyshim që është një ndër periudhat më të bukura të jetës. Kur vitet kalojnë dhe ne rritemi, kujtojmë me nostalgji vitet e fëmijërisë.
Shumë nga lojërat që do përmendin në shkrim do të duken të çuditshme për fëmijët sot, të cilët në pamundësi për t’u mbledhur poshtë pallatit, ose para shtëpisë, tashmë krijojnë ambientet e tyre të takimit në mënyrë virtuale.
Ndoshta këto takime virtuale për fëmijët sot duken aq normale, aq sa të pakuptimta mund të duken për ta lojërat tona në rrugë.
Ne po ju sjellim në kujtesë disa lojëra; për të zgjuar për disa nostalgjinë, e për t’iu sugjeruar disa të tjerëve që sot janë prindër se mbase do t’ua tregojnë fëmijëve të tyre.
Loja me litar
Dy persona qëndronin në të dyja anët e litarit dhe e tundnin me të njëjtin ritëm. Në mes kërcenin një ose më shumë persona. Po ju sjellim në kujtesë disa nga vargjet që shoqëronin këtë lojë: ‘O litar, litar i gjatë që s’pushon as ditë as natë,Luajnë vajzat me litar me nga dhjetë pa lënë në radhë… 1.2.3.4.5.6.7.8.9.10…’
Kala Dibrançe
Në këtë lojë marrin pjesë persona të ndarë në dy grupe. Njëri grup vendoset në mesin e fushës duke formuar kalanë të përkulur me shpinë dhe të kapur dorë për dore më njëri tjetrin. Grupi kundërshtar nisen të hidhen një nga një mbi personat që kanë formuar kalanë deri sa ti shembin atë. Kalaja nuk duhet të lëvizte gjatë lojës.
Loja ‘Hapa dollapa’
Kjo lojë luhet me dy ose më shumë persona. Teksa njëri mbyllte sytë dhe mbështetej në mur me njërin krah para fytyrës, të tjerët duhet të fshiheshin.’Hapa dollapa kush është fshehur mbrapa’, ishin fjalët që personi që kishte mbyllur sytë duhet të thoshte.
Loja ‘Ngriva shkriva’
Një person duhet të ndiqte të tjerët nga pas dhe duhej ti prekte para se ato të thoshin fjalën ngriva. Kur lojtari thoshte ‘ngriva’ ai bëhej imun dhe nuk mund të prekej. Loja vazhdonte sërish derisa lojtari thoshte fjalën ‘shkriva’.
Loja me shtet-qytete
Në këtë lojë duhej të gjendej emri i shtetit apo qytetit, gërma e parë e të cilëve zbulohej. Loja quhej e fituar nëse gjendej i saktë ky emër.
Loja ‘Telefoni i prishur’
Një varg njerëzish transmetonin tek njëri tjetri një fjalë të thënë në vesh, nga i pari tek i fundi i lojës. Qëllimi ishtë që fjala të dilte ashtu si ishte thënë në filllim. Nëse gabohej personi që e kishte thënë gabim skualifikohej.
Karroca me ‘kuzhineta’
Karroca me kuzhineta ishte loja më e preferuar e fëmijëve të asaj kohe. Me një copë dërrasë apo me një arkë të vendosur në kuzhineta krijonin automjetin e tyre dhe shëtisnin rrugëve duke i shtyrë dikush nga pas.
Loja me pafka
Në dysheme vizatoheshin katrorë me numra të ndryshme dhe vendosej një pafkë të cilën duhej ta shtyje me njërën këmbë, nga fillimi deri në fund të kuadrateve.
Gjuajtje me llastiqe
Një llastik i lidhur në dy degë druri në formë ‘Y’ shërbente si hark për të gjuajtur. ‘Shigjeta’ e këtij harku ishin zakonisht gurë të vegjël. /syri/ KultPlus.com