16 Prill, 2025 - 11:39 am
Festivali i Teatrit për Fëmijë “Fëmijët në Teatër” rikthehet për herë të dytë, duke sjellë një atmosferë plot ngjyra, këngë, lojë dhe emocione të pastra.
Më 17 dhe 18 prill, në Teatrin “Muharrem Qena” do të ngjiten në skenë dy shfaqje për fëmijë, duke e kthyer qytetin në një qendër të artit dhe gëzimit për të vegjlit.
“Jam shumë e lumtur që ky festival po vazhdon rrugëtimin drejt krijimit të një tradite, me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe të Teatrit të qytetit të Mitrovicës ‘Muharrem Qena’. Fytyrat e lumtura të fëmijëve në edicionin e parë më bënë të vendos menjëherë për rikthimin e tij me një edicion të dytë, dhe shpresoj që ky festival të bëhet pjesë e pandashme e kalendarit kulturor të qytetit tonë,” u shpreh organizatorja e festivalit, Albana Muja.
Bashkëpunëtorët e këtij edicioni janë Marigona Bekteshi, në cilësinë e udhëheqëses artistike, dhe Labinot Lajçi, i cili kujdeset për organizimin e këtyre dy ditëve magjike për fëmijët e Mitrovicës./KultPlus.com