1 Korrik, 2020 - 7:26 pm
Shkruan: Pjeter Logoreci
Vlerësimi i personave me kontribute të shquara në fusha të ndryshme, mos lenia e tyre në harresë, respekti ndaj tyre, vendosja në piedestal apo stimulimi në mëndyra të ndryshme për cfarë ato dhanë e bënë për vendin, është detyrë e shtetit por edhe e cdo njërit nga ne. “Shfrytëzimi” i PERLAVE, njerzve të shquar, të cilët pamvarsisht nga mosha apo gjendja ekonomike, vazhdojnë të jenë aktiv dhe të japin pa u kursyer eksperiencën e tyre të vyer për brezin e ri, duke e shkruar nder libra atë cka dijnë e cka jeta i ka mësuar, duhet të terheqë vemendjen e institucioneve dhe organeve të ndryshëm.
Një nga këto perla të cmuara ishte dhe Profesori i kantos dhe muzikologu Ferid Bala.
Prof. Feridin e njoha personalisht nga afër në auditorin e universitetit Luigj Gurakuqi të Shkodres, me rastin e prezantimit të librit të tij – Kënga dhe Këngëtarët Shkodranë -. Atë ditë salla universitare ishte e mbushur plot me qytetarë, këngëtare dhe muzikantë të njohur, disa nga të cilët ishin nxënësit e tij apo zbulimet e tij. U fol shumë për Ferid Balen, aktivitetin e tij, librat e tij, ndihmesën e dhënë në formimin e talenteve të reja, por shkaku që më ngacmoi për të shkruar këto rreshta është vendosmëria e tij (edhe pse në pension) për të punuar dhe për të ndihmuar sa mundet në fushën dhe specialitetin e tij.
Shpesh herë, statusi i pensionistit, e pengonte Feridin për të bërë realitet daljen në dritë të librave që shkruante dhe që i mbesnin gjatë në dorëshkrim. Këmbëngulja dhe përpjekja e panderprerë për të kontaktuar persona që i “japnin një dorë” për të cuar në fund projektet e botimit të dorëshkrimeve, kontaktet, takimet në kafe apo telefonatat për këtë punë ishin të shumta. Një ditë pata fatin edhe unë të jem “i ftuar” i Feridit, por që e shfrytëzova edhe për të nxjerrë në dritë këtë shkrim.
Kush ishte Prof. Ferid Bala?
Feridi lindi në një familje qytetare shkodrane me 12 prill 1934. Nëna e tij Naxhija ishte e bija e Ahmet Boricit, bir nga familja e përmendur e Daut Boricit. Ajo pat 6 femijë, tri vajza dhe tre djem. Babai i saj Ahmeti ishte drejtor i doganave shqiptare në Tiranë deri sa në mospajtim me politikën e Zogut, u dorëhoq nga detyra.
Babai i Feridit, Nuhi njihej si pronar i madh tokash në Shkodër. Fisi i tij, si origjinë, vinte nga Pecajt në malësinë e Dukagjinit. Nga familja dhe fisi i Feridit ka pasur shumë arsimtarë të njohur për ndihmesën e tyre në arsim si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ndër vellezërit e Feridit, Vehbiu, ishte profesor i gjuhës shqipe dhe njihet si themeluesi i degës për gjuhë e letërsi në universitetin e Shkodres (atë kohë instituti i lartë padagogjik). Ai ishte mesues i popullit, deputet si dhe i lauruar me cmimin republikës së klasit të parë. Ndërsa Nazmiu është i njohur si administrator dhe krijuesi i idesë së parqeve të mallrave në zonën e veriut.
Shkollën fillore Feridi e bëri në Shkodër në mësonjëtoren 24 Maji ku mësues muzike pat kompozitorin Prenk Jakova. Që në atë kohë Prenka e klasifikoi Feridin, së bashku me Enver Dibren, si një nga zërat më të mirë të shkollës dhe e aktivizoj nëpërmjet Shtëpisë së Pionierit, në melodramen Dasma Shkodrane. Aty djaloshi shkodran bie në kontakt me këngëtarët e njohur File Gjeloshi, Bik Ndoja, Leo Prela (Bariton). Për shkak të zërit të bukur e të vecantë ai zgjidhet së bashku me Klotilde Shantojen, Florinda e Ndrek Gjergjin, nga specialistët rus të muzikës për tu dërguar në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Bukuresht. Ky aktivitet, ku morën pjesë 100 koriste nga Shqipëria, të gjithë të veshur me kostumet e bukura shqiptare, pat si drejtues artistik muzikantin e njohur Gaqo Avrazi dhe u vlerësua me cmimin e 3-të. Duke parë dëshirën dhe talentin e Feridit, piktori Foto Stamo nguli këmbë që ai të futet në Liceun Artistik të Tiranës ku në vitin 1953 filloj të studiojë për kanto nën kujdesin e vazhdueshëm të këngëtares Marie Kraja. Në fillim punon me tenorin Maliq Herri e më vonë me sopranon Jorgjie Truja. Një ndër mësueset që pat ndikim të madh tek Feridi ishte pedagogia bullgare Vasilika Bakerxhieva e cila atë kohë ishte edhe mësuesja e këngëtares Vace Zela. Me mbarimin e liceut në 1957-tën, së bashku me Cesk Zadejen e Gaqo Cakon janë ndër të parët që themelojnë dhe punësohen në Ansamblin e Këngëve e Valleve në Tiranë, ku Feridi ndejti vetëm tre muaj pasi u thirr në shërbimin ushtarak.
Ministria e mbrojtjes e përzgjedh atë, jashtë dëshirës së tij, për ta dërguar me studime si ingjinier në sherbim të flotës ushtarake shqiptare, në Bashkimin Sovjetik (Leningrad, sot Petërsburg). Nga këmbëngulja e tij për të qëndruar në Shqipëri, ai lejohet të jetë pjesë e Ansamblit të Ushtrisë. Pas periudhës ushtarake, emrohet si shef muzike në Klubin e Rinisë – Herojt e Vigut – ku ishte bashkëpunetor me kompozitorin Zef Leka, i cili e mbështeti shumë në punën e tij. Në janarin e vitit 1962 fillon studimet e larta në konservatorin e sapo krijuar të Tiranës në degën e kantos. Ishte bashkëstudent me këngëtarët e njohur Gaqo Cako, Luisa Cako, Irena Gjergo, Kirstaq Paspali. Me mbarimin e studimeve univetsitare u emrua si këngëtar në TOB ku pat disa koncerte vokale si dhe disa role në opera të ndryshme(1). Nën veshtrimin e ndikimin e luftës së klasave u transferua në Shkoder në Klubin e Rinisë si shefi i muzikës ku qëndroj deri në 1970-tën.
Në vitin 1971, fillon punën në degën e sapo krijuar të kantos në shkollën e muzikës Prenk Jakova në Shkoder, ku nxori maturantët e parë apo zbuloj talente si: Valdete Hoxha, Agim Hushi, Violeta Gashi, Enriketa Kuqani, Valentina Hasani, Sabahet Vishnja, Myfarete Laze, Frano Lufi. Në shkollë merret me krijimin e programeve mësimore si dhe jep eksperiencën e tij metodike në hapjen e shumë shkollave analoge në të gjithë vendin. Si pedagog dhe specialist i muzikës, Feridi merret me punime shkencore, shkruan artikuj të ndryshëm problemor të mësimdhënies në kanto në shtypin shqiptar apo merr pjesë në emisione televizive. Në këtë vit dekorohet me Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të III-të. Që nga viti 1886-të, Feridi mban titullin – Mësues i Dalluar -. Cmimin Naim Frashëri të Klasit të II për arritje të larta në procesin mësimor, e merr në vitin 1990 dhe në 2011-tën nderohet nga Bashkia e Shkodres me titullin “Prenk Jakova”.
Ferid Bala ka një veprimtari të gjërë didaktike dhe është autor i disa librave për shkollat e mesme të muzikës, si “Ushtrime Vokale”, “Përmbledhje me Arie e Romanca”, etj. Së bashku me shokë të tjerë muzikantë themelon në Shkoder shoqaten Artistike “Dashamirët e Këngës Shkodrane” duke organizuar aktivitete të ndryshme koncertore dhe shkencore. Si cdo shqiptar, mbas daljes në pension në vitet 1990-të, provon emigracionin në SHBA dhe në Kanada nga ku kthehet rreth vitit 2000. Po këtë vit boton librin kritik “Në lulishten e këngës dhe të këngëtarve popullore shkodranë”, në vitin 2009 boton librin “Fjalor muzikor i komentuar”, në vitin 2011 (me rastin e 50 vjetorit të shkollës së muzikës Prenk Jakova), boton librin “50 vjet Art e Kulturë” dhe librin “Këshilla për këngëtarët”. Në vitin 2012 nxjerr në treg një libër “Përmbledhje pjesësh popullore” që është bashkëpunim i autorit me shumë kompozitor dhe krijues shqiptarë. Së fundit në vitin 2014 nxjerr monografinë “Kënga dhe Këngëtarët shkodranë, pjesa e parë” e në 2015 pjesën e dytë të këtij libri.
Si këngëtar lirik dhe si solist i Ansamblit Amator të Shtëpisë së Kulturës Shkodër, Feridi, u shqua për interpretimet e tija me nivel të lartë në aktivitete e konkurse të ndryshme kombëtare, ku u vlerësua me cmime, diploma dhe medalje të ndryshme.
Gjatë takimit për punë me Prof. Balen, më bëri përshtypje të madhe energjia e tij pozitive dhe dëshira për të nxjerr në dritë me çdo kusht krijimin e tij të ri, librin mbi historikun e muzikës klasike shqiptare.
Prof. Ferid Bala me ndihmesen dhe profesionalizmin e tij në fushën e muzikës është dhe do të mbetet një nga PERLAT e çmuara në gjerdanin e intelektualve e atdhetarve shqiptarë. Vdekja e këtij intelektuali të pashoq e qytetari të mirë, do të vorfnojë Shkodren.
Pushoftë në paqë miku im i mirë.
Shenime:
Fotot dhe shenime rreth tyre:
Foto 1: Ferid Bala
Foto 2: Ferid Bala me studentat e diplomuar ne vitin 1985
Foto 3: Ferid Bala me Marie Krajen, Visar Balen dhe Rita Ndocin
Foto 4: Ferid Bala ne koncert
Foto 5: Ferid Bala me koleget, Marie Kraja, Odise Paskali, Vehbi Bala
Foto 6: Urdheri Naim Frasheri i Kl. II
Foto 7: Prenk Jakova dhe kori i shtepise se kultures ne koncert ne vitin 1950
Foto 8: (nga e majta ne te djathte) Kolec Hila, Ferid Bala, Tonin Ljarja , Henrik Daragjati, Petri Karamitri, Fred Serreqi ne vitin 1953
Foto 9: Titulli Prenk Jakova i akorduar nga bashkia Shkoder
Wien, me 01.07.2020 / KultPlus.com