24 Janar, 2025 - 4:37 pm
Studio e arkitekturës FERIZI ARCHITECTS nga Prishtina ka projektuar Shtëpinë e Kosovës, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Ky projekt përfaqëson një moment historik për Kosovën dhe diasporën e saj.
Me një përkushtim të thellë ndaj detajit dhe një vizion të qartë për të pasqyruar identitetin kulturor të Kosovës, ata kanë dizajnuar një hapësirë që shquhet për bukurinë dhe funksionalitetin e saj.
Dizajni i FERIZI ARCHITECTS reflekton një kombinim të harmonishëm të traditës dhe modernitetit, duke krijuar një ambient që është njëkohësisht inspirues dhe mikpritës për vizitorët nga e gjithë bota.
Për herë të parë, Shtëpia e Kosovës, me një sipërfaqe prej 500 m², i ofron botës një perspektivë të veçantë dhe të pasur mbi diversitetin dhe kulturën e Kosovës. Kjo hapësirë shërben si një ambasador i fuqishëm dhe një përfaqësues dinamik i vendit tonë në skenën ndërkombëtare, duke krijuar mundësi të reja për lidhje dhe bashkëpunim global. Shtëpia e Kosovës nuk është vetëm një hapësirë ekspozuese, por një simbol i fuqisë dhe përkushtimit të Kosovës për të ruajtur dhe promovuar vlerat, kulturën, identitetin e Kosovës, trashëgiminë e saj kulturore, duke theksuar bukurinë dhe potencialin e kombit tonë në arenën ndërkombëtare.
Projekti i realizuar nga zyra e arkitekturës FERIZI ARCHITECTS është gjithashtu një dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë dhe mbështetjes së fuqishme te bizneseve që kanë ardhur si nga diaspora ashtu edhe nga vetë Kosova, sidomos pas procesit të dizajnimit. Ky bashkëpunim i palodhur me bizneset tona ka luajtur një rol kyç në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm. Këta partnerë të përkushtuar kanë qenë thelbësorë në realizimin e kësaj ideje, duke demonstruar se me përpjekje të përbashkëta mund të arrihen suksese të mëdha për Kosovën.
Nga ky moment e tutje, shqiptarët e Kosovës kanë një vend të veçantë në qytetin pitoresk të Davosit. HOUSE OF KOSOVA, e dizajnuar nga arkitekti Ernest Ferizi dhe zyra e tij dhe e mundësuar me bujarinë e veçantë dukagjinase nga LIKA Group, shërben si një strehë mikpritëse dhe një simbol i fuqishëm i unitetit dhe kulturës sonë kombëtare . Ajo reflekton përkushtimin dhe vlerat tona të përbashkëta në skenën globale, duke krijuar një platformë ku traditat dhe kultura jonë mund të shkëlqejnë përballë gjithë botës./KultPlus.com