20 Qershor, 2021 - 4:59 pm
Pojani në Fier, i përfshirë në programin “100 fshatrat”, u kthye mbrëmjen e djeshme në qendër të festimeve dhe traditës myzeqare.
Festa e grurit mblodhi bashkë me qindra banorë, duke e kthyer Pojanin në epiqendër të festimeve dhe një vend atraktiv për vizitorët.
Me sloganin “Pusho shqip”, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi vlerësoi rëndbsinë e “Festës së grurit”, një festë tradicionale e Pojanit të Fierit.
“Vizitorët e Apolonisë shijuan dhe këtë festë që erdhi si ndërthurje e folklorit me demonstrimet e mekanikes bujqësore, me panairet e prodhimeve të grurit, bukës, duke kulmuar me gatimin e festës, të bibës në çerep”, tha Klosi.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi fantastike atmosferën e krijuar në qytetin antik të Apolonisë.
“Festa e grurit në Myzeqe, një paradë e veshjeve, këngëve e valleve tradicionale, e bukurisë e mikpritjes myzeqare, mblodhi bashkë jo vetëm banorë të zonës, por priti edhe shumë miq, që shijuan për orë të tëra harmoninë mes natyrës dhe trashëgimisë materiale e shpirtërore. Një mesazh i bukur për jetën dhe gëzimin e të qenurit së bashku”, tha Margariti.
Me qindra njerëz u bënë pjesë të kësaj feste bashkë me dhjetëra fermerë, kultivues gruri dhe prodhues buke.
Festa e grurit, me një histori gati 50-vjeçare në Myzeqe i solli të gjitha si dikur bukën dhe grurin e ri, lëmin e fshatit dhe mekanikën, këngët dhe vallet, bibën në saç dhe dhallën e ftohtë.
Festa e grurit është një nga festat më të mëdha që organizon Bashkia e Fierit në kuadër të promovimit të traditës myzeqare. E zhvilluar në muajin qershor të çdo viti dhe e shoqëruar me ritualet festive të krijuara gjatë shekujve, kjo festë vendore përbën tashmë një tjetër vlerë të shtuar të turizmit kulturor./atsh/ KultPlus.com