19 Shkurt, 2025 - 5:22 pm
Rrugët e qytetit të Shkodrës u gjallëruan sot nga parada e fëmijëve të veshur me kostume shumëngjyrëshe, me rastin e festës së Karnavaleve.
Të veshur si personazhet e dashura për ta, fëmijët përcollën gëzim dhe energji në rrugët e qytetit përmes paradave, koncerteve dhe performancave artistike.
Bashkia e Shkodrës fton qytetarët të vizitojnë qytetin verior për të festuar karnavalet duke shijuar gjallërinë dhe bukurinë e kësaj atmosfere unike.
“Një festë që ruan traditën dhe e bën Shkodrën një pikë të veçantë festive”, shkruan bashkia në një postim në rrjetet sociale.
Prej dy ditësh në Shkodër ka nisur Festa e Karnavaleve, ku kostumet shumëngjyrëshe, maskat si dhe atmosfera festive po mbizotërojnë në të gjitha rrugët, sheshet dhe në kalanë e Rozafës. Të rinjtë dhe fëmijët e qytetit kanë shpalosur kreativitetin e tyre.
Paradat e karnavaleve të Shkodrës do të vijojë deri më 23 shkurt.
Shkodra është qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen. Festimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve ’90./atsh/KultPlus.com