27 Gusht, 2019 - 9:56 am
E diela e 25 gushtit të këtij viti, në Malin e Dajtit mbi Tiranë, Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, të cilën e drejton Agron Isa Gjedia, mblodhi shqiptarët e viseve etnike për ta shënuar për të 16 herë me radhë Festën e Plisit të Bardhë, ikonën e veshjes sonë kombëtare, si dhe për ta zhvilluar garën poetike të rreth 60 krijuesve, kushtuar Homerit shqiptar At’ Gjergj Fishta.
Festa e Plisit të Bardhë e zhvilluar në një ambient pitoresk mbi Malin e Dajtit, prej nga Tirana shihej si në pëllëmbë të dorës, gumëzhinte me këngë, recitime e vallet me motive të ndryshme tropojane, hasjane, gjakovare e preshevare.
Vargjet e “Lahutës së Malcis” të Fishtës, të recituara nga legjenda e aktrimit shqiptar Çun Lajqi, mbushën me shpirt zemrat e zhuritura të qindra shqiptarëve nga hapësirat mbarëkombëtare, që kishin ardhur me kënaqësinë më të madhe në Festën e Plisit të Bardhë.
Këtë festë madhështore të kombit shqiptarë e përshëndetën përfaqësues të ndryshëm të shoqatave atdhetare, që po i japin mbështetje Shoqatës “Bytyçi” dhe kryetarit të saj, Agron Isa Gjedia, e në mesin e tyre ishin edhe ato si Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore nga Presheva, të drejtuar nga prof. Xhemaledin Salihu dhe Shoqata për Kulturë ” Pellazgët” nga Tetova, me kryetarin Dr.sc. Shefki Selami, një njohës i mirë i fiseve dhe toponomistikës shqiptare.
Pjesa e dytë e programit të Festës së Plisit të Bardhë u zhvillua në Restorantin e Parkut të Dajtit, me poezitë garuese kushtuar Homerit shqiptar At’ Gjergj Fishta. Në një ambient solemn të mbushur plot me adhurues të fjalës së bukur artistike, ndoqën me vëmendje vargjet e dhjetëra poetëve nga mbarë trevat kombëtare kushtuar At’ Gjergj Fishtës.
Juria profesionale e konkursit letrar mbarëkombëtar “Ndue Bytyçi” në përbërje nga Agim Doçi (kryetar jurie), Albi Lushi e Zyra Ahmeti nga Shqipëria, Fatmir Halimi nga Kosova, Ali Daci nga Mali i Zi dhe Sevdail Hyseni nga Lugina e Preshevës, zgjodhën nga kjo garë poetike fituesit e pesë çmimeve letrare dhe një për inkurajim.
Nga 58 konkurruesit e garës poetike nga juria u zgjodhën: Preng Cub Lleshi, Lekë Gjoni, Namik Selmani, Leonora Bruçaj nga Shqipëria dhe Musa Jupolli nga Kosova.
Manifestimi mbarëkombëtar për nder të Festës së Plisit të Bardhë, u mbyll me një drekë solemne me pjesëmarrësit e këtij evenimenti të lartë kulturor, me shpërndarjen e Mirënjohjeve dhe të shoqëruar me këngët mirëditase: Mrikë Trumshi e Arinda Gjonaj e këngëtarë të tjerë të mirënjohur të estradës shqiptare/Sevdail Hyseni. / KultPlus.com