5 Qershor, 2024 - 1:39 pm
Dita Kombëtare Italiane u festua mbrëmjen e djeshme në Tiranë, përmes një eventi që e ndezi atmosferën në sheshin “Italia”.
Dy ishin aktivitetet e përgatitura me këtë rast: Pizza Village dhe koncerti i Marsela Çibukajt, imazhi i Javës Kulturore Italiane.
Të pranishmit në Pizza Village përjetuan një udhëtim ndijor që u dha mundësinë të provonin picat e famshme napoletane, si një pjesë e rëndësishme e gastronomisë dhe kulturës italiane.
Ndërsa më pas, nën qiellin me yje të Tiranës, mbrëmja u ndez nga zëri magjepsës i Marsela Çibukaj e cila krijoi një atmosferë të paharrueshme të mbushur me energji dhe gëzim. Zëri i Çibukajt solli melodi që evokojnë thelbin e Italisë dhe kulturës së saj. Të pranishëm në këtë mbrëmje të hapur për të gjithë, ishte edhe presidenti i Republikës,Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, autoritete të tjera vendore, zyrtarë të përfaqësive diplomatike në vend etj.
Dita Kombëtare e Italisë është më 2 qershor, por në kuadër të Javëve Kulturore ajo u festua mbrëmjen e djeshme./atsh/KultPlus.com