11 Prill, 2025 - 11:15 pm
Në një botë ku identitetet shpesh margjinalizohen, ku zërat e ndjeshëm shtypen dhe realitetet queer shpërfillen, ekspozita më e re që është hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës vjen si një ftesë për të parë, për të ndier dhe për të kuptuar. “Fuqia e dëshirës”, ekspozita personale e artistit Jetmir Idrizi, sjell një rrëfim të thellë dhe të fuqishëm vizual mbi jetën dhe rezistencën e komunitetit LGBTQIA+ në Brazil nëpërmjet lenteve bardh e zi që ndërthurin artin, politikën dhe humanizmin.
E kuruar nga Camille Cousin, kjo ekspozitë shkon përtej estetikës – ajo është një dëshmi, një dokumentim dhe një akt solidariteti me trupat që nuk ndjekin normat, me zërat që nuk heshtin dhe me shpirtërat që kërkojnë të jetojnë të lirë. Përmes një cikli fotografish të realizuara gjatë dy periudhave të ndryshme politike në Brazil, Idrizi nuk na ofron vetëm një dritare drejt kulturës queer, por na sfidon të rimendojmë çfarë do të thotë të jesh i lirë në një shoqëri që shpesh i vendos kufij dashurisë dhe identitetit.
Kjo është më shumë se një ekspozitë. Është një deklaratë. Është një hapësirë ku festa dhe vetë-pohimi bëhen akte të rezistencës, ku karnavalet dhe ballot shndërrohen në forma të dukshme të fuqisë kolektive, dhe ku çdo fotografi është një përpjekje për të ruajtur kujtesën e trupave që refuzojnë të fshihen.
Fotografitë në këto seri janë realizuar gjatë dy periudhave të ndryshme politike në Brazil. Periudha e parë, nga viti 2015 deri në 2017, përkon me shkarkimin e Presidentes Dilma Rousseff në vitin 2016, ngjarje kjo që shënoi një ndryshim në drejtim më konservator dhe parapriu ngritjen e së djathtës ekstreme, duke kulmuar me zgjedhjen e Jair Bolsonaros në vitin 2019. Periudha e dytë, nga viti 2023 deri në vitin 2024, pason rikthimin e Luiz Inácio Lula da Silva në pushtet, moment i ri shprese për çështjet sociale, përfshirë të drejtat e LGBTQIA+.
Jetmir Idrizi ka një marrëdhënie të veçantë me Brazilin – një vend që fillimisht e vizitoi për arsye të tjera, por që shumë shpejt u bë “shtëpia e tij e dytë”. Ishte viti 2015 kur ai nisi për herë të parë të fotografonte jetën queer në Rio de Janeiro – një fillim i papritur për një projekt që sot rezonon fuqishëm në skenën ndërkombëtare.
“Kur kam fillu këtë projekt në 2015, kam shku për krejt diçka tjetër, por përfundova duke e dashur atë vend që sot e quaj shtëpia jem e dytë,” thotë ai. “Në atë kohë, në Kosovë flitej shumë pak për identitetin gjinor dhe seksualitetin. Mendoj që në këto 10 vitet e fundit ka pasë përparim, por ende ka shumë hapësirë për dialog dhe për ta kuptuar më mirë komunitetin LGBTQ”, është shprehur ai për KultPlus.
Për Jetmirin, fotografia bardh e zi është mënyra për të shkuar përtej sipërfaqes. Ajo i ndihmon të fokusohet në thelbin e subjektit, në shpirtin e tij – pa shpërqendrimet që sjell ngjyra.
“Unë gjithmonë fotografoj bardh e zi, sepse besoj që përmes kësaj forme më lehtë e kap shpirtin e një personi. Ngjyrat marrin shumë prezencë, dhe për këtë arsye përqendrohem te bardh e zi”, shtoi ai.
Në shikim të parë, pamjet nga karnavalet braziliane, ballo dhe shfaqje drag duken si momente feste dhe lirie absolute. Por, siç tregon vetë artisti, realiteti është shumë më kompleks.
“Nëse i shohim këto foto, na duket sikur në Brazil të drejtat janë më të mëdha, por në fakt Brazili është një ndër vendet që vret më së shumti persona transgjinorë. Prandaj për mua ka qenë shumë me rëndësi të bëj këtë projekt – jo vetëm për ta dokumentuar, por edhe për të rritur ndërgjegjësimin”, u shpreh tutje artisti.
Idrizi e sheh lidhjen mes politikës dhe të drejtave të njeriut si thelbësore. Projektin e nisi pak para rënies së qeverisë progresiste të presidentes Dilma Rousseff dhe u rikthye për të dokumentuar jetën queer në periudhën pas rikthimit të presidentit Lula da Silva.
“Pushteti ka shumë të bëjë me të drejtat e njeriut. Me ardhjen e Bolsonaros, të drejtat e komunitetit LGBTQ u shtypën rëndë. Por tash, me Lula da Silva si president, kemi parë ndryshime që dikur as nuk mund t’i imagjinonim – si për shembull dy deputetë transgjinorë që janë sot në parlament. Kjo është historike, dhe po ndodh në një kohë kur në vende të tjera si SHBA po shohim një shtypje të fuqishme të të drejtave të komunitetit trans”, tha ai.
Në këtë kontekst të ndërlikuar, ekspozita “Fuqia e dëshirës” shërben si një akt rezistence, kujtese dhe vizibiliteti. Por ajo çfarë është ndoshta më prekëse, është mënyra se si Jetmiri ka zgjedhur ta paraqesë këtë realitet – jo përmes viktimizimit, por përmes fuqisë.
“Shtypja nuk paraqitet në imazhet e mia. Nuk kam dashur të viktimizoj komunitetin, por t’i paraqes ata në mënyrën më të bukur, duke festuar me ta, si gjatë karnavaleve. Sepse edhe ajo është një formë qëndrese”, shtoi tutje ai
Për Jetmirin, ky projekt nuk është vetëm një punë artistike, është një thirrje për empati, dialog dhe kuptim. Një dëshmi që liria për të dashur, për të jetuar dhe për të qenë vetvetja nuk është diçka që duhet të negociohet.
Kuratorja Camille Cousin, e cila për herë të parë bashkëpunon me Jetmir Idrizin, shpreh entuziazmin dhe vlerësimin e saj për këtë bashkëpunim artistik.
“Ishte hera e parë që punonim bashkë dhe që në momentin e parë që e takova, u mahnita nga energjia dhe thellësia e punës së tij. Për mua është kënaqësi e veçantë të kuratoj një ekspozitë në Kosovë dhe ta ndaj këtë rrëfim kaq të fuqishëm me publikun këtu”, u shpreh ajo.
Në një kohë kur shumë pjesë të botës ende luftojnë për të njohur dhe respektuar identitetet e ndryshme, ekspozita “Fuqia e Dëshirës” e Jetmir Idrizit është një kujtesë e fuqishme se arti është një mjet i papërmbajtshëm për të sfiduar kufizimet shoqërore dhe për të krijuar hapësira për dialog. Përmes syve të artistit, komuniteti LGBTQIA+ në Brazil shpërfaq një histori të qëndresës, krenarisë dhe forcës, duke theksuar se liria për të dashuruar, jetuar dhe qenë vetvetja është një e drejtë që nuk mund të mohohet. Me këtë ekspozitë, ai na inkurajon të shohim botën me një sy të ri, më të hapur, më të ndjeshëm dhe më të kuptueshëm./KultPlus.com