24 Prill, 2025 - 5:30 pm
Pasi regjistroi më shumë se 35 mijë vizitorë, festivali Art Explora e përmbylli edicionin e tij 12-ditor në Durrës dhe hapi velat e shtegtimit.
Festivali Art Explora u zhvillua nga data 10 deri më 21 prill, me një program të pasur artistik dhe muzikor nga mbi 50 artistë ndërkombëtarë dhe lokalë dhe ishte falas për të gjithë.
Festivali u organizua në kuvertën e anijes së parë muze në botë dhe në kalatën e portit, i konceptuar në disa pavijone dhe hapësira kolektive, me një program që ndërthuri ekspozita, realitet virtual, performanca, biseda, projeksione filmash dhe koncerte.
Gjithashtu, Festivali Art Explora nxori në pah për audiencat ndërkombëtare, trashëgiminë historike të Durrësit duke e ndërlidhur atë me skenën globale të artit dhe kulturës bashkëkohore. Me titull “Për qytetet dhe gratë: Një flaut, një kambanë, ujëra”, programi artistik u kurua nga kuratorja shqiptare Arnisa Zeqo, asistuar nga Rina Meta dhe në bashkëpunim me Anima Pictures, përgjegjëse për produksionin.
Frédéric Jousset, themelues dhe president i Fondacionit Art Explora, falënderoi përzemërsisht të gjithë partnerët, artistët, si dhe autoritetet lokale dhe institucionet kulturore për përkushtimin dhe entuziazmin e treguar në mbështetje të këtij festivali.
Durrësi ishte ndalesa e parë e festivalit për këtë vit. Në këtë odise kulturore në Mesdhe, Art Explora do të lundrojë drejt Nisës në Francë (2-13 qershor), Rijekës në Kroaci (12-21 shtator), Athinës (3-12 tetor) dhe Limasol në Qipro (25 tetor – 5 nëntor)./atsh/KultPlus.com