Festivali FemArt publikon detajet e programit për edicionin e 11-të

14 Maj, 2023 - 4:30 pm

Më 15-21 maj, 2023 në Prishtinë dhe Mitrovicë do të realizohet edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve – FemArt, i cili vjen nën moton “Kalle Tutën”.  

Ky edicion hapet me premierën e shfaqjes teatrore “Fefu dhe Shoqet e Saj”, me regji të Arlinda Morinës – Likit, do të hapet edicioni i 11-të i Festivalit FemArt, në Menzën Ramiz Sadiku, Prishtinë. Shfaqja vjen si një rezistencë e grave, dhe një fuqi për të vazhduar jetën, të jenë të bashkuara, e të mbrojnë njëra-tjetrën. Artistet e Trupës Artistike Rezidente të Artpolis sjellin një rrëfim emocional, emancipues për sfidat e grave në sistemin patriarkal.

“Kalle Tutën” vjen si thirrje për të flakur tutje tutën, me i dhënë mundësi të resë, guximit dhe dashnisë që të lindë.  

Ndër të tjera publiku në Kosovë do të ketë rastin të shikojë shfaqjet e prezantuara në Festivalin prestigjioz të Avignonit; “Vrapimi” nga Libani, dhe “Olympe dhe Unë” nga Franca, me artistët e nivelit botëror Hanane Hajj Ali, Patrick Mons dhe Veronique Ataly.  

Përveç tyre, pjesë e FemArt do të jetë Trupa Artistike nga Izraeli të udhëhequr nga një prej producenteve më të njohura në botë, Yu Jingyi, dhe aktori dhe artisti multidisiplinar Yehezkel Lazarov.

E rol të rëndësishëm luan sivjet edhe skena artistike vendore, fuqizimi i së cilës është një nga synimet kryesore të Festivalit FemArt, që nga themelimi. FemArt, e krijuar nga gratë për gratë, hapësirë të veçantë iu jep edhe sivjet artisteve dhe aktivisteve vendore, prezantimit dhe promovimit të punëve të tyre.

Programin e plotë dhe detajet për secilin aktivitet mund t’i shikoni edhe përmes rrjeteve sociale të FemArt.

Vlen të theksohet se programi i këtij edicionit të Festivalit FemArt vjen i printuar edhe në alfabet të Brajit, për persona të verbër. Me iniciativën e asistentes së projekteve në Artpolis, Mimozë Musliu, e cila gjithashtu ka krijuar një Doracak Udhëzues për persona me aftësi të kufizuar. /KultPlus.com

Të ngjajshme