21 Janar, 2021 - 3:14 pm
Organizatorët e “Glastonbury” kanë bërë të ditur sot se festivali i përvitshëm nuk do të zhvillohet as këtë vit për shkak të pandemisë me koronavirus.
Në një postim në faqen zyrtare të festivalit në Twitter sqarohet se është bërë i pamundur zhvillimi i tij edhe këtë vit pasi e njëjta gjë kishte ndodhur edhe vitin e kaluar, raporton BBC.
“Me keqardhje ju njoftojmë se festivali Glastonbury nuk do të mbahet këtë vit dhe se kjo po ndodh për të dytën herë pas anulimit të tij edhe vitin e kaluar. Biletat e këtij viti do të barten për vitin e ardhshëm”, thuhet në sqarim.
Fansat e festivalit të cilët i kishin blerë biletat në vitin 2019 do të duhet të presin sërish, deri në vitin 2022.
Glastonbury është një prej festivaleve më të mëdhenj që zhvillohet në Britani të Madhe e ku marrin pjesë këngëtarët më me zë nga bota.
Në mesin e këngëtarëve të cilët kanë performuar pothuajse çdo vit në këtë ngjarje muzikore janë edhe këngëtaret kosovare Rita Ora e Dua Lipa. / KultPlus.com