9 Shtator, 2024 - 4:58 pm
Ka përfunduar festivali i rrushit “Hardh Fest 2024”.
Përmes një komunikate për media, policia thotë se festivali i cili u mbajt nga data 6 deri më 8 shtator në Rahovec, mblodhi një numër të madh vizitorësh dhe pjesëmarrësish, përfshirë personalitete të njohura nga fusha e politikës, kulturës dhe artit, e gjatë së cilit nuk është shënuar asnjë incident serioz.
“Për garantimin e sigurisë dhe rendit publik, Drejtoria Rajonale të Policisë në Gjakovë ka zbatuar një plan operativ të mirë organizuar, ku një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kanë qenë të angazhuar për kontrollin dhe rregullimin e trafikut, parandalimin e dukurive negative dhe parandalimin e akteve të mundshme kriminale. Bashkëpunimi i ngushtë me organizatorët e festivalit ka qenë një faktor kyç në ruajtjen e qetësisë publike dhe mbarëvajtjen e këtij eventi”, thotë më tej policia, njofton Klankosova.tv.
Falë kulturës qytetare të treguar nga vizitorët dhe përkushtimit të organizatorëve, festivali ka kaluar pa asnjë problem. Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit për respektimin e rregullave dhe sjelljen e përgjegjshme, duke kontribuar kështu në një atmosferë të qetë dhe festive.