12 Nëntor, 2024 - 11:30 am
Festivali Mbarëkombëtar i Aktrimit “Apollon” nisi me një atmosferë të jashtëzakonshme, në teatrin “Bylis” të qytetit të Fierit. Kryebashkiaku Armando Subashi u shpreh se, shfaqja dramatike “7 Minuta”, me të cilën nisi ky festival, përcolli mesazhe të fuqishme sociale, duke emocionuar publikun.
“Një fillim mbresëlënës për një festival të pasur me art dhe emocion”, u shpreh Subashi.
Drama “7 Minuta”, me regji të Driada Dervishit, pati një kast prej 11 aktoresh, mes të cilave emra të njohur të skenës shqiptare si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku, Anila Bisha.
Shfaqja teatrale trajtoi dinjitetin dhe të drejtat e punëtoreve të një fabrike tekstilesh. Shfaqja rrëfen një ditë pune dhe përpjekjet heroike të grave për të mos humbur të drejtat e tyre.
Në shtatë netë të Festivalit mbarëkombëtar të aktrimit do të interpretojnë trupa profesioniste nga Shqipëria dhe Kosova. Ky festival në edicionin e tij të 15-të i dedikohet aktorit. Risi do të jenë çmimet “In Memoriam” për dy artistët simbol të teatrit Fatos Sela dhe Hajrie Rondo si dhe dy çmimet e karrierës./atsh/KultPlus.com