25 Maj, 2020 - 10:25 pm
Edhe pse kishte shumë dyshime se Festivali i Filmit në Venecia do të mbahet këtë vit për shkak të pandemisë, Luca Zaia, kryetar i komunës Veneto, ka deklaruar se ngjarja do të ndodhë ashtu siç ishte planifikuar, pra në muajin shtator, shkruan agjencia Female First.
Zaia, i cili është në bordin e drejtorëve të këtij festivali për Bienalen e Venecias, është cituar nga mediat lokale se do të ketë më pak filma këtë vit gjatë festivalit.
Sidoqoftë, lista komplete e filmave nuk do të publikohet deri para fundit të korrikut.
Ndërsa në fillim të vitit ky festival zbuloi se Cate Blanchett do të jetë në krye të jurisë.
Drejtori i festivalit Alberto Barbera tha: “Cate Blanchet nuk është vetëm një ikonë e kinemasë bashkëkohore, por edhe e adhuruar nga regjisorët më të mirë të 20 viteve të fundit. Përkushtimi i saj në fushat humaniste dhe të artit dhe në mbrojtjen e mjedisit, si dhe mbrojtja e emancipimit të gruas në industrinë e filmit e kanë bërë atë një inspirim për shoqërinë. Talenti i saj i madh si aktore, i kombinuar me inteligjencën e saj unike dhe pasionin e sinqertë për kinemanë, janë kualitete ideale për presidentin e një jurie”.
Ndërsa Blanchet ka thënë: “Çdo vit me padurim i pres përzgjedhjet në Venecia dhe çdo vit befasohem. Venecia është festivali me atmosferik i filmit në botë, festim i një mediumi provokues dhe frymëzues siç është kinemaja në të gjitha format e saja. Është një privilegj dhe kënaqësi që të jem presidentja e jurisë këtë vit”. /KultPlus.com