3 Qershor, 2023 - 10:00 pm
Korça ka çelur sot sezonin turistik me edicionin e 16-të të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve.
Mbi 30 grupe nga Shqipëria dhe vendet e Ballkanit kanë dhuruar një festë madhështore me paradën e kostumeve dhe maskave veneciane në rrugicat dhe sheshet e qytetit të serenatave.
Aktiviteti nisi që në orët e para të ditës dhe vijoi edhe në orët e mbrëmjes duke e kthyer Korçën në një kryeqytet festiv me paradën e rreth 400 kostumeve shumëngjyrëshe të performuara nga qytetarë të apasionuar pas karnavaleve.
Pjesë e paradës janë bërë grupmosha të ndryshme që nga fëmijët deri te të rriturit me veshjet e personazheve të ndryshme.
Ky edicion i 16-të u ndoq nga qytetarë dhe turistë të shumtë që kishin zgjedhur të kalonin fundjavën në Korçë.
Kryetari i Bashkisë Korçës, Sotiraq Filo, u shpreh se synimi është që Korça të jetë pjesë e paketave, që të tërheqë sa me shumë turistë të huaj.
Ai theksoi se “karnavali dhe Korça ka një lidhje të hershme, por ne kemi marrë këtë festë dhe e kemi sjellë në një kontekst modern”.
Këtë vit kemi mbi 30 grupe qe marrin pjesë në Festivalin e Karnavalit, ndërkohë që tre gupe janë nga Greqia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Besoj se është koha më e mirë për të çelur një sezon turistik në qytet nëpërmjet haresë, gjallërisë dhe ngjyrave që sjellë Festivali i Karnavaleve. Edhe këtë sezon veror besoj se Korça do të mirëpres shumë vizitorë vendas dhe të huaj”, deklaroi Filo.
Ai pohoi se në Korçë ka një numër në rritje të vizitorëve dheshprehu besimin se ky vit nuk do ketë ndryshim me vitet e tjera.
Kryebashkiaku Filo nënvizoi po punohet me operatorët turistikë për ta prezantuar Korçën përtej Shqipërisë, ashtu siç e meriton dhe kthimin e kësaj zone në një zonë të mbushur nga turistë.
Organizatorja e festivalit, Zamira Kita u shpreh se atmosfera e karnavaleve është kartolina më e bukur e qytetit.
“Grupet janë nga më të bukurat. Ajo që është më e bukur, më festive është pjesëmarrja e korçarëve. Ne kemi rreth 30 grupe me fabula dhe ide shumë interesante, kostume dhe maska shumë të bukura”, u shpreh aktorja e njohur./atsh/KultPlus.com