Festivali i parë i Baballarëve në Kosovë po rikthehet me edicionin e tretë

16 Qershor, 2022 - 12:33 pm

Festivali i parë i Baballarëve në Kosovë po rikthehet me edicionin e tretë, përcjellë KultPlus.

SUPERDADS do pushtojnë Prishtinën, të dielën, më 19 qershor nga ora 16:00 te Platoja e “Zahir Pajaziti” – te Hotel Grandi.

Me muzikë, argëtim, lojëra interaktive, gara mes baballarëve, lexim, art, kuiz dhe plotë energji, këtë vit do shënohet Dita Ndërkombëtare e Baballarëve dhe do të frymëzohen baballarët dhe kujdestarët që të jenë të vëmendshëm dhe të përfshirë aktivisht në edukimin e fëmijëve, të fillojnë diskutime mbi rëndësinë e atësisë, me një fokus të veçantë në avokimin për lejen prindërore.

“Ejani me familje dhe tregoni se çfarë babai jeni! Është kënaqësi të shohësh fëmijët e tu duke u shoqëruar me fëmijët e shokut/shoqes tuaj. Ftoni edhe baballarët e tjerë bashkë me familje”, thuhet në njoftim.

Ky festival implementohet në kuadër të projektit “E Ardhmja për Rininë” nga SIT me mbështetje nga UNFPA, zyra në Kosovë, CARE International në Ballkan, Agjensioni Austriak për Zhvillim, Fondacioni Oak, Komuna e Prishtinës, QKSGj dhe D4D. / KultPlus.com

Të ngjajshme