10 Shkurt, 2023 - 12:24 pm
Këtë vit Festivali i Poezisë “Republika” bën bashkë 15 poetë në nderim të pesëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Edicioni i pestë i Festivalit të Poezisë “Republika”, këtë herë bën bashkë poetë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Zvicra, Maroko dhe SHBA.
Përmes poezive të poetëve Curtis Bauer nga SHBA, Anna Hoffmann nga Gjermania, Dalila Hiaoui nga Maroko dhe Luccila Trapazzo nga Zvicra, “Republika” nuk do të flas vetëm shqip.
Poetë të tjerë pjesëmarrës janë: Adem Gashi, Primo Shllaku nga Shqipëria, Nerimane Kamberi,
Timo Flloko nga Shqipëria, Vlora Konushevci, Ahmet Selmani nga Maqedonia e Veriut, Blerina Rogova Gaxha, Halil Matoshi, Emin Z. Emini, Ndue Ukaj dhe Xhevat Latifi.
Organizatorja, Vlora Ademi, bën të ditur se, përpos poezisë, në këtë edicion do të shfaqet edhe ekspozita virtuale “odin 45” me fotografi abstrakte të artistit të fotografisë, Fahredin Spahija.
Gjithashtu edhe ky edicion do të gërshetojë poezinë me leximin e aktores Melihate Qena, muzikën e instrumentistit Astrit Stafaj, dhe vallëzimin e Altina Binakut me koreografi të Robert Nuhës.
“Republika” do të mbahet ditën e mërkurë, me datë 15 shkurt 2023, me fillim nga ora 19.00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Edicioni i pestë i Festivalit të Poezisë “Republika”, këtë vit mbështetet nga Komuna e Prishtinës dhe Instituti Goethe në Prishtinë. Ndërsa sponsor medial është gazeta online për art dhe kulturë, KultPlus. / KultPlus.com