28 Korrik, 2020 - 9:09 pm
Një ndërthurje mes traditës dhe bashkëkohores ka gjetur strehë në zemër të Tiranës. Për të katërtin vit radhazi, “Festivali i Resë” ka rikthyer frymën dhe gjallërinë e muzikës në kryeqytet, duke ofruar një qasje të veçantë për të thithur audiencën që në këto muaj më tepër se çdo herë tjetër u ka munguar aktiviteti artistik.
“Gjithmonë ka qenë një festival ndërkombëtar. Vjet kemi pasur 15 shtete që na kanë sjellë artistë. Këtë vit kemi mbi 100 artistë, dhe vetëm shqiptarë nga të gjitha trevat nga veriu në jug. Më shumë si një oksigjen për artistët, por edhe për qytetin. Vështirësi pafund, por po rezistojmë. Artistët janë të lumtur në fakt se u ka munguar shumë që të luajnë dhe të ushtrojnë instrumente, ashtu si dhe publikut”, theksoi drejtorja artistike, Edit Pulaj.
Kultivimi por edhe rritja e audiencës artdashëse është në themel të vlerave të festivalit që promovon artistë të zhanreve të ndryshme, qofshin ata me përvojë të gjatë në skenën shqiptare apo dhe emra të rinj. Një dhuratë zanore nga ahengu tiranas kulmon aktivitetin e këtij festivali për këtë vit jubile të kryeqytetit. Bahçja e Resë do të ofrojë përvoja të reja si për publikun ashtu edhe për artistët në këtë edicion të katërt, deri në datën 2 gusht. /KultPlus.com