13 Maj, 2024 - 11:42 am
“Festivali i Verës Merano”, një traditë italiane prej 32 vitesh, u zhvillua këtë vit në kryeqytetin shqiptar, në fundjavën e 11 dhe 12 Majit. Ekspertë nga e gjithë bota, prodhues të verës, degustues, por edhe vizitorë të pasionuar takohen në këtë aktivitet gastronomik ndërkombëtar.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në takimin që zhvilloi me organizatorët e këtij eventi, vuri theksin te nevoja e promovimit të produkteve vendase.
Erion Veliaj: Ne besojmë fortë që tregu lokal, jo vetëm që nuk është ezauruar, por në fakt konsumon shumë nga mallrat e importit. Ne duam shumë që të fokusohemi tek produkti Made in Albania, te kilometri zero, tek ajo që quhet slow-food, tek agroturizmet tanë që kanë bërë një punë fantastike. Unë besoj që edhe qëllimi i qeverisë dhe i bashkisë është të promovojë maksimalisht produktet lokale. Kur ne takojmë një partner serioz ndërkombëtar që do të na ndihmojë të promovojmë produktet lokale, themi që është një kombinim perfekt. Mezi pres që Bashkia e Tiranës, Ministria jonë e Bujqësisë, të gjithë të bashkëpunojmë, për të promovuar Festivalin e Meranos, me destinacion Tiranën.”
Nga ana e tij organizatori kryesor i këtij Festivali, shprehu bindjen se eksperienca disavjeçare e “Festivalit të Verës Merano” do të japë frytet e saj edhe në Shqipëri./tema/KultPlus.com