Festivali mbarëkombëtar i Preshevës “Ditët e Komedisë Shqiptare” bashkoi artdashësit

13 Nëntor, 2020 - 9:04 am

Dje pasdite ka ulur perden Festivali Teatror mbarëkombëtar “Ditët e Komedisë Shqiptare” i cili u mbajt në qytetin e vogël por artdashës të Preshevës. Festivali u mbajt në skenën e teatrit “Abdulla Krashnica”.

Megjithëse në kushte shumë të vështira prej Covid-19, organizatorët e kësaj ngjarje u kujdesën që të zbatoheshin në mënyrë rigoroze të gjitha rregullat e përcaktuara në protokoll, por që gjithashtu ky festival të mbante edicionin e tij të radhës.

Ky festival pati një juri mjaft prestigjioze të përbërë nga artistë shumë të njohur të skenës teatrore si Fatos Berisha, Musa Isufi dhe Kastriot Saqipi. Në fund të këtij eventi u shpërndanë çmimet vlerësuese për disa nga shfaqjet qe u vlerësuan si produksionet më të mira.

Shfaqja “Sot 8 ditë” ishte produksioni i Teatrit të Metropolit i cili arriti të merrte tre çmime të rëndësishme. Kjo shfaqje u vu në skenë nga regjisorja Elona Hyseni dhe me aktorë si Ermir Hoxhaj, Xhino Musollari, Ermir Jonka, Margent Caushi, Klea Konomi, Alba Shtëmbari, Klodjana Keco, Ergys Baki, Glen Shutina, Valdano Bajrami, dhe Joana Omeraj.

Regjia më e mirë, shfaqja më e mirë ishin dy çmimet e rëndësishme në këtë shfaqje, por edhe aktori më i mirë që iu dha aktorit të njohur Margent Caushi i cili ishte pjesë e po të njëjtit produksion. /ata/ KultPlus.com

Të ngjajshme