15 Shtator, 2023 - 2:35 pm
Në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi u mbajt konferenca për mediat për edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut.
Ky edicion do të sjellë pranë publikut 49 filma, të cilët do të shfaqen në datat 18 deri 23 shtator në kinemanë e Marubit si edhe në institucione të tjera si Parlamenti i Shqipërisë, Autoriteti i Dosjeve, Akademia e Policisë, Shkolla e Magjistraturës, kinema “Maks Velo” Laprake, Qendra për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, etj.
Filmat lidhen drejtpërdrejtë me temën e këtij edicioni: “E Vërteta, Pandëshkueshmëria dhe të Drejtat e Njeriut”.
Konferenca për shtyp drejtohej nga regjisori i mirënjohur, prof. Kujtim Çashku, themelues i festivalit.
Kosova, Ukraina, Izraeli, Italia, Rusia, Palestina, Hungaria, Gjermania, Uganda etj janë shtetet ku shtrihet harta e filmave të këtij edicioni, duke sjellë raste të ndëshkimit e mosndëshkimit.
Edicioni i 18-të i IHRFFA do të çelet me filmin italian “Shocking marriage” me regji të Demetrio Casile, i cili do të jetë i pranishëm në Tiranë, së bashku me aktorin protagonist Natale Bova.
“Shocking marriage” është një satirë e pamëshirshme kundër sistemit arrogant dhe të mbushur me padrejtësi sociale, tipik i botës mafioze. Filmi rrëfen në mënyrë komike martesën e motrës së bukur të një mafiozi me djalin më të druajtur të qytetit. Origjinal, ironik, zbavitës dhe herë pas here surreal.
Filmi do të shfaqet në sallën e kinemasë të Akademisë “Marubi” dhe hyrja do të jetë e lirë.
Akademia Marubi, fotot nga Agim Dobi. / KultPlus.com