19 Shtator, 2024 - 2:42 pm
Në kinema “Majestic” në Korçë, u çel edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit të shkurtër në “Korça Film Fest 2024”, i cili mbështetet për të 7-in vit radhazi nga Bashkia Korçë.
Janë 45 filma nga 22 vende të ndryshme të botës, që konkurojnë në kategoritë: filma kombëtarë, ndërkombëtarë, studentorë dhe dokumentarë.
Festivali synon të bëjë së bashku në Korçë regjisorë nga e gjithë bota, të cilët do të shfaqin filmat e tyre, do të krijojnë lidhje të reja dhe do të zhvillojnë projektet e tyre të ardhshme. 5 prej kineastëve pjesëmarrës janë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Kategoria e filmit të shkurtër dokumentar është shtuar në edicionin e këtij viti. Drejtori Gledis Bica deklaroi për mediet se, bëhet një seleksionim rigoroz për filmat kombëtarë edhe pse nuk është shumë e lehtë që çdo vit të ketë një numër të madh filmash shqip, pasi nuk ka mundësi që të prodhohet mjaftueshëm.
Festivali u çel me një film nga Palestina që erdhi si reflektim për situatën në Lindjen e Mesme./atsh/KultPlus.com