6 Maj, 2024 - 11:15 am
Festivali folklorik “Sofra Dardane”, e kthyer tashmë në një traditë në Tropojë, mblodhi edhe këtë vit për tre ditë me radhë ansamblet popullore nga të gjitha trevat shqiptare dhe ikonat e muzikës popullore.
Në edicionin e 22-të të këtij festivali mbajtur në qytetin e Bajram Currit, merrnin pjesë ansamble nga Çamëria në Preshevë, nga Tetova në Tuz, Plavë e Guci.
Në nisje të aktiviteteve, grupet folklorike të Tropojës, Vlorës, Mallakastrës, Dibrës së Madhe, Çamërisë, Gjakovës, të Ansamblit Shtetëror të Maqedonisë së Veriut, parakaluan në bulevardin kryesor të Bajram Currit nën tingujt e tupaneve, fyejve e veglave të tjera muzikore të trashëguara brez pas brezi.
Kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Biberaj deklaroi se Tropoja do të vijojë angazhimin e saj në përmirësimin e mëtejshëm për turizmin elitar i cili po shënon rritje nga viti në vit.
Festivali “Sofra Dardane”, i paraprin edhe çeljes së sezonit turistik në Valbonë./atsh/KultPlus.com