12 Qershor, 2021 - 7:29 pm
Trevat shqiptare janë bërë bashkë në qytetin e Bajram Currit për edicionin e 18-të të festivalit “Sofra Dardane”.
Festivali “Sofra Dardane” ka zbritur në bjeshkët e Tropojës për të sfiduar me kostumografinë, folklorin, kulturën, traditën, këngën, vallen dhe më të bukurën e trojeve shqiptare, kulturën.
Një sfilatë tradite, që dukej sikur hapi sëndukun e shekujve për të nxjerrë në pah vlerat më të mira, ngjyrat mahnitëse gjithë dritë dhe kontrast të kostumeve popullore, nga jeleku me ornamente, xhamadani i llojit unik në Ballkan, shamitë e stiluara me të gjitha ngjyrat, zbriti në qytetin e Bajram Currit, prej tre ditësh dhe me konkurrimin me përfaqësuesit e të gjitha trevave shqiptare, në festivalin “Sofra Dardane”, organizuar nga Unioni Artistik mbarëkombëtar shqiptar.
Ky aktivitet mbështetet nga bashkia Tropojë, Këshilli i Qarkut Kukës dhe sponsorë të tjerë të ndryshëm.
Shfaqjet u zhvilluan në “amfiteatrin” e stadiumit të lojërave me dorë të qytetit. Në këtë aktivitet morën pjesë duke shpalosur krijimtaritë e tyre artistike me këngë e valle popullore, rreth 1000 artistë e artiste nga mbarë trevat shqiptare.
Në natën e dytë të “Sofrës Dardane” përshëndeti prefekti i qarkut Kukës Zenel Kuçana, i cili falënderoi organizatorët që mundësuan realizimin e edicionit të 18-të të këtij festivali, si dhe vlerësoi qëllimin e këtij festivali duke e konsideruar si një mundësi për ruajtjen dhe transmetimin e vlerave artistike, kulturore, folklorike, etnografike, të të gjitha trevave mbarëkombëtare shqiptare.
Për tre netë me radhë, qyteti i Bajram Currit u kthye në qendrën e kulturës kombëtare shqiptare.
Edicioni i 18-të i këtij festivali përfundoi sot si një nga organizimet më të mëdha të Unionit Artistik mbarëkombëtar. /atsh/KultPlus.com