20 Qershor, 2024 - 11:42 am
“The NECE Festival” do të vijë në Tiranë, në datat 14-17 nëntor, për të bërë bashkë shoqërinë civile, politikën, akademikët, median dhe kulturën për bashkëpunim dhe shkëmbim ndërdisiplinor të ideve të ndryshme mbi “Edukimin Demokratik në Evropë”.
Në takimin e organizuar nga The Civic Innovation Hub dhe partnerët SCiDEV ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja për të promovuar këtë festival.
Ministri është shprehur se, nismës “Edukimi për Demokracinë në Evropë” i bashkohet edhe Shqipëria, për t’u përballur me edukimin qytetar mbi sfidat e reja që hasen në shoqëri.
Vetë filozofia e The NECE Festival bazohet në një platformë e cila mbledh njerëz nga e gjithë bota për t’u lidhur, mësuar dhe për t’u rritur në frymën e demokracisë qytetare.
“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duke u mbështetur në misionin dhe strukturat e saj është e motivuar për të qenë një nga pikat e forta të vendit për edukimin qytetar dhe implementimin e reformave demokratike evropiane në vend”, shkruhet në një postim të MEKI-t, në rrjetet sociale.